Pas shumë ditësh në luftë për shuarjen e zjarreve, qyteti i Shëngjinit është gdhirë i qetë këtë mëngjes. Qindra trupa të ushtrisë, emergjencave civile, bashkive dhe dy avionë italianë dominuan zjarret që rrethuan qytetin në të gjitha anët.

Për fat të mirë nuk pati viktima në njerëz, por qyteti në kulmin e sezonit turistik u zbraz nga vizitorët, të cilët janë kryesisht shqiptarë nga Kosova.

Gjatë orëve të mbasditës se djeshme dhe natës mijëra turistë lanë hotelet në plazhet e Ranës së Hedhun dhe hotelet në qytet. Rruga dalëse e qytetit u përfshi në kaos nga ikjet në panik të turistëve dhe mjeteve të zjarrfikëseve dhe ambulancave që hynin në qytet për të luftuar me flakët.

Gati 60 për qind e turistëve janë larguar gjatë natës duke e lënë qytetin të zbrazur. Shumë prej tyre janë të indinjuar sepse kishin bërë pagesat dhe kanë ikur me shpejtësi pa ditur se si do të bëhen rimbursimet.

Një pjesë e madhe e kurorës me pisha mbi qytet u dogj dhe gjithashtu pylli në brigjet e Ranës së Hedhun një nga më të bukurit e bregut ranor në vend. Vendasit besojnë se zjarri është vënë me dashje fillimisht në zonën e Ranës së Hedhun dhe më pas u përhap dhe doli jashtë kontrollit nga erërat e forta. Të tjerë besojnë se zjarret janë një sabotim që po i bëhet zhvillimit të turizmit në qytet.

Megjithëse qyteti ishte në prag të katastrofës, dëmet e mëdha në banesa dhe në njerëz u shmangën, por ndërkohë është shkrumbuar e gjithë kurora e gjelbër në kodrat pranë detit që zbukuronte peizazhin, po aq sa deti.

Zjarri fillimisht ishte i lokalizuar në kodrat mbi repartin ushtarak pranë disa banesave dhe hoteleve pjesë e Ranës së Hedhun. Një helikopter dhe shumë zjarrfikëse nuk mundën të dominonin situatën nga erërat e forta të veriut. Në më pak se dy orë zjarri u përhap në të gjithë kodrën mbi qytet shumë afër banesave.

Në orën 17:00 të mbasditës së djeshme situata u bë kaotike kur tymi mbuloi qytetin dhe zjarri mbërriti në shtëpitë mbi rrugë. Dy avionë italianë ishin vendimtarë për frenimin e zjarrit që gati sa nuk shkrumboi një qytet të tërë.

Shëngjini prej më shumë se 15 vitesh është shndërruar në destinacionin kryesor të pushuesve nga Kosova. Duke qenë destinacioni më i afërt me Kosovën, qyteti ka pësuar një zhvillim të madh vitet e fundit. Në ndryshim nga qytetet e tjera turistike, Shëngjini ka investuar në infrastrukturë dhe ka një menaxhim shumë të mirë të trafikut të mjeteve, lëvizjes së njerëzve dhe menaxhimit të mbetjeve.

Qyteti po zgjerohet me hotele në dy periferitë e tij. Nga jugu drejt Kunës janë ndërtuar hotele të nivelit mbi mesataren me 4 dhe 5 yje, ndërsa në zonën e Ranës së Hedhun ka një projekt për të ndërtuar resorte luksoze.

Shëngjini ka një oferte diverse për shume nivele, duke ofruar çmime shumë ekonomike si në hotele dhe restorante ashtu edhe shërbime luksi.

Këtë vit zjarri ka dëmtuar rëndë turizmin në kulmin e tij./B.Hoxha

Burimi: Monitor.al

https://www.monitor.al/shuhen-vatrat-e-zjarrit-ne-shengjin-turizmi-demtohet-ne-kulmin-e-tij/

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *