Drejtuesja e grupit parlamentar të Levizjes Vetëvendosje tha para gazetarëve se ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë do të hapet dhe se kjo do t’i shërbejë për mirë komunitetit lokal dhe shtetit të Kosovës.
Sipas saj, nuk ka asnjë arsye se pse ura duhet të vijojë të jetë e mbyllur.
“Në asnjë argumentim nuk mund të gjendet, një kauzë e mirëfilltë për parandalimin e hapjes së urës, flasim për lëvizjen e lirë dhe domosdoshmërinë e normalizimit të jetës në atë pjesë të Kosovës, ura ka mbetur sinonim i bllokadës dhe si sinonim i një kuazindarjeje që është pretenduar të bëhet shumë vjet më parë.”- ka thënë ajo të hënën në një konferencë të përbashkët për media me deputetin e pushtetit Adnan Rrustemi, ku kanë folur për punën e Kuvendit gjatë sesionit pranveror.