E përditshmja italiane “La Repubblica” ka publikuar një rregullore për punonjësit italianë që do të punojnë në kampin e refugjatëve në Gjadër të Lezhës, i cili pritet të hapet më 1 shtator. Manuali përmban rregulla dhe norma strikte sjelljeje, duke përfshirë kode veshjeje dhe udhëzime për sjelljen e punonjësve italianë.
Sipas rregullores, shqiptarët janë mikpritës, por disa masa paraprake duhet të merren. Nuk duhet të shfaqet superioritet dhe lakuriqësia apo veshjet ekspozuese nuk janë të mirëseardhura. Shoqërimi me gratë shqiptare duhet të shmanget për shkak të natyrës konservatore të shoqërisë, veçanërisht në veri të vendit. Shqipëria konsiderohet e sigurt dhe pa fanatizëm fetar, me një bashkëjetesë të mirë midis feve.