Në mbrëmje, shëtitorja e plazhit të Golemit, nga Shkëmbi i Kavajës e deri te Mali i Robit është e mbushur me pushues.

Dëgjon të flitet nga të gjitha gjuhet, teksa mbizotëron ajo sllave.

Durrësi dhe Kavaja u kthyen vitet e fundit në një nga modelet më të mira të turizmit në vend, pas investimeve të mëdha të bizneseve në hoteleri, çka tërhoqi agjencitë e huaja që sjellin turistë të organizuar nga gjithë Europa.

Kjo zonë ishte nga të parat që futi konceptin e “të gjitha të përfshira”, ndërsa çmimet mbeten ekonomike, në kontrast me Jugun, duke i bërë hotelet që të “vuajnë” më pak braktisjen e pushuesve.

Kontrasti i turizmit  që “shkëlqen” në bregdet është i madh me zonën e brendshme, nga hotelet drejt rrugës dytësore.

Pothuajse kudo shikon qese me plehra të hedhura grumbull në trotuar, apo në cep atë rrugëve.

Një pamje kjo që nuk është aspak e hijshme për një vend që po mirëpret miliona turistë në vit dhe po përpiqet me çdo kusht të ruajë këtë burim të ardhurash për ekonominë lokale.

Turistë në shëtitoren e Golemit
Plehra të hedhura në çdo cep

Kush po i hedh plehrat 

Në fillim të këtij sezoni, Bashkia e Durrësit u kërkoi hoteleve që t’i menaxhonin vetë plehrat, nëpërmjet kompanive private.

Burime zyrtare nga Bashkia thanë se ashtu si të gjitha bashkitë e tjera, edhe ajo e Durrësit është përgjegjëse për mbledhjen vetëm të plehrave të qytetarëve.

Operatorët turistikë pohojnë se me detyrën e menaxhimit të mbetjeve, bashkia ka hequr edhe koshat e plehrave në zonën nga Shkëmbi i Kavajës deri te Mali i Robit, ndërsa ata po detyrohen që të largojnë plehrat me koston e tyre.

“Muajt e fundit, Bashkia e Durrësit na ka kërkuar ne si struktura akomoduese të menaxhojmë mbetjet. Pavarësisht se ne paguajmë taksa, detyra për menaxhimin e mbetjeve na ka ngelur ne.

Për menaxhimin e tyre ne kemi kontaktuar kompani private që të merren me këtë shërbim, duke shtuar më shumë kostot për ne gjatë këtij sezoni turistik”, pohon David Hyka, administratori i Diamma Resort.

Fatos Çerenishti nga “Fafa”, struktura më e madhe akomoduese në zonën e Golemit me rreth 2 mijë shtretër, pohon se që pas urdhrit të bashkisë, ata i heqin vetë plehrat që gjeneron hoteli, nëpërmjet kompanive private të kontraktuara.

Ai shton se problemi është se nuk ka kosha për qytetarët dhe pallatet.

Dikush po hedh plehrat në cep të rrugës, aty ku është shënimi ndalohet hedhja e plehrave

Burime zyrtare nga Bashkia thanë vendet e hedhjes së mbeturinave kanë mbetur të pandryshuara dhe koshat jo vetëm që nuk janë reduktuar, përkundrazi janë shtuar.

Koshat ndodhen në rrugë dhe plehrat mblidhen 4-6 herë në ditë.

Bashkia po heq dhe plehrat kudo që i sheh në cepa trotuaresh dhe rrugësh.

Pak më tutje në vëzhgimin tonë, hasim një individ që afrohet anash rrugës dhe hedh dy qese në një vend pranë stacionit të autobusit, ku ka dhe mbetje të tjera dhe largohet i pa shqetësuar nga turistët që kalojnë aty pranë.

Pikërisht në vendin ku ai hedh mbeturinat ndodhet njoftimi i bashkisë “Ndalohet hedhja e mbeturinave, në të kundërt do të gjobiteni nga Policia bashkiake”!

Një ndërgjegjësim i qytetarëve mbetet i domosdoshëm për të mos krijuar vende mbeturinash në rrugë e trotuare, por për t’i hedhur ato në vendet e caktuara për depozitim.

 Ujëra të zeza, trotuare të papërfunduar, mungesë ndriçimi

Dy rrugët dytësore të Golemit, përveçse deshën disa vjet për t’u ndërtuar, nuk kanë përfunduar ende tërësisht.

Ato pak trotuare që ka, për shkak të mungesës së hapësirës, janë lënë me zhavorr. Ndriçim nuk ka, duke detyruar pushuesit të përdorin telefonat për të parë rrugën.

Ujërat e zeza që derdhen në rrugë

Në rrugën që të çon në kompleksin Diamma, që vitet e fundit e fundit ka investuar duke ndërtuar hotel me standarde të larta, duhet të zësh hundët.

Ujërat e zeza derdhen në rrugën jashtë hotelit, që është lënë në një gjendje të mjeruar.

Turistët detyrohen të tërheqin valixhen përmes ujit të zi, në mungesë të ndriçimit që të shkojnë te autobusi për t’u larguar. Dhe kjo është lamtumira më e keqe që mund ti jepet një turisti!

Burimi: Monitor.al

https://www.monitor.al/turizem-mes-plehrave-ne-golem/

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *