Nga Daut Dauti
Para disa ditësh në Southport, një qytezë e qetë e Anglisë, një 17-vjeçar kreu një krim të tmershëm: i theri me thikë për vdekje 3 fëmijë kurse 9 të tjerë i plagosi, por shpëtuan nga vdekja. Ky akt barbar me të drejtë e tronditi opinionin britanik. Por, ajo që ndodhi më pas, pothuaj e ka lënë nën hije këtë ngjarje.
Pasi që sulmuesi ishte 17-vjeçar, policia e lëshoi vetëm këtë deklaratë: “Kjo ngjarje nuk është akt terrorist.”
Kjo informatë ka mjaftuar për grupet dhe individët racistë të së djathtës ekstreme që sulmuesin 17-vjeçar ta cilësojnë si azilkërkues, emigrant ilegal, dhe mbi të gjitha: mysliman. Asnjë nga këto nuk janë të vërteta. I akuzuari është i lindur në Britani të Madhe dhe jo që nuk është mysliman, por nuk ka asnjë lidhje me këtë religjion apo me organizata e individë myslimanë. Por, ky është imazhi i terroristit që disa media dhe politikanë e kanë krijuar.
Pa marrë parasyshë realitetin, ekstremistët racistë përmes mediave kanë ftuar njerëzit e tyre për kinse demonstrata, por që dolën organizime të dhunshme pasi që në Southport u sulmua një xhami, myslimanët dhe bizneset që në shikim të parë duken të jenë të myslimanëve, aziatikëve apo afrikanëve. Për fat të keq kjo u zgjerua në një dhunë që po vazhdon në shumë qytete të Anglisë dhe Irlandës Veriore. Janë sulmuar xhami të tjera, janë lënduar një numër i madh i policëve, janë djegur biblioteka, dyqane e hotele me azilkërkues. Kjo është një dhunë e rrezikshme që e ka brengosur qeverinë, opinionin, intelektualët dhe mediat.
Qeveria konservative që i humbi zgjedhjet është mjaft përgjegjëse për inkurajimin e racistëve kundër myslimanëve britanikë. Duhet kujtuar se anëtarja e qeverisë konservative, Suela Braverman, e ka ushqyer mjaft mirë të djathtën ekstreme sa ishte në pushtet. Ajo shpërndau dezinformata të karakterit islamofobik dhe këtë gjë e filloi me shqiptarët. Tashti grupet shëtitëse ekstremiste janë duke e vazhduar aktivitetin e dhunshëm nga qyteti në qytet duke e terrorizuar popullatën dhe shkatërruar bizneset.
Qeveria ka angazhuar 6000 policë shtesë për parandalimin e këtij aktiviteti kriminal dhe ka premtuar se dora e drejtësisë do ta kapë secilin që është angazhuar në këto veprime kriminale. Megjithatë, këta racistë nuk janë duke u ndalur. Kjo është me siguri për shkak se policia nuk është duke i përdorur kompetencat sa duhet. Ende nuk është vërejtur që policia ka përdorur gaz lotësjellës, ‘topa të ujit’ apo ndonjë dhunë tjetër.