Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Lajthizë të Mirditës, ku një 68-vjeçar është gjetur i vrarë në banesën e tij. Viktima, Frederik Radi, kalonte muajt e verës në këtë shtëpi, ku u qëllua për vdekje me armë zjarri nga dritarja e dhomës ku flinte.
Trupi i pajetë i Radit u zbulua dy ditë pas vrasjes nga e bija, Leonora Radi, e cila kishte humbur kontaktet me të atin më 18 gusht.
Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e këtij krimi të rëndë. Deri më tani, disa banorë të zonës janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje, por ende nuk është gjetur një motiv konkret për vrasjen. Sipas burimeve, Frederik Radi nuk ishte person problematik dhe nuk kishte precedentë penalë, gjë që e bën ngjarjen edhe më të mistershme.