Nga Sokol Kolgjini
Kurdo që përmendim ose ndigjojmë fjalën “oligark”, nënkuptojmë një grupim njerëzisht të pasun, kryesisht biznesmenë abuziv dhe penetrues me ligjet, të cilët në kët mënyrë e kan përfitue pasuninë e tyne, e në vazhdimësi po këta përcaktojnë dhe vendosin rregulla në interes të tyne, kështu duke e mbrojtë dhe shtue pasuninë dhe influencën. Instiktivisht ne mendojmë kështu, sepse kët nënkupton vetë oligarkia.
Po a jemi të saktë ne në Shqipni për kët perceptim paraprak?
Mendoj se jo.
Po e nisim argumentin me supozimin e kundërt, pra sikur Shqipnia asht një vend normal dhe oligarkët janë një grup superbiznesmenësh që vendosin rregullat sipas interesit të tyne. Atëhere i bjen se pronarët e koncesioneve, minierave, karburanteve, telekomunikimit e disa tjerë të këtyne niveleve janë ata që përcaktojnë dhe vendosin rregullat e për pasojë fatet e vendit. Ata do duhej të kishin ndikim vendimtar në zgjedhjen e qeverive, të parlamentit, presidentit, si dhe të përcaktojnë balancat dhe aleancat e vendit.
Po a ndodh kjo te ne?
Jo.
Askush, as ma naivi ndër ne nuk e beson se “superbiznesmenët” shqiptarë kan mundësi me vendosë për ato ça përmenda ma sipër. Ata, biles asnjani prej tyne, as që pyetet për atë punë.
Pra, supozimi i kundërt nuk na qëndron. E kundërta asht e vërtetë. “Superbiznesmenët” shqiptarë nuk mund të vendosin për asgja që lidhet me vendimmarrjet e mëdha, e për pasojë, mund ta them me plot gojë se ata nuk janë oligarkë sipas stilit dhe konceptit klasik.
Atëhere lind pyetja: kush janë oligarkët te ne?
Për me gjetë përgjigjen, le të kthehemi edhe një herë te kriteri i përcaktimit “oligatk” që ishte mundësia për me përcaktue dhe vendosë rregullat.
E kush asht ai që vendos rregullat te ne, që zgjedh deputetët e parlamentin, që zgjedh presidentin, gjykatën e biles edhe opozitën?
Kush asht ai që i zgjedh, i afron, i pasunon ose i rrënon bizneset dhe biznesmenët?
Kush të ban invesitor strategjik ose të futë në burg mrena dite, të jep prona me ligj të posaçëm ose të konfiskon po me ligj.
Në Shqipninë tonë ky asht një individ. Oligarkia te ne nuk asht grup. Asht individ. Ky individ e përcakton edhe grupin e “superbiznesmenëve” që na e paraqesin si oligarki. Ky individ e zmadhon, e zvoglon, e ndryshon dhe ban çfarë të dojë me grupin, sepse ky asht oligarku i vërtetë.
Ky asht deformim i rrezikshëm që ne i kemi ba konceptit “oligarki”. Mjafton një neuron t’i lëvizë gabim këtij oligarkut, dhe pasojat i vuajnë të gjithë, përfshi edhe grupet që ky vetë i ka zgjedhë.