Nga Arbër Zaimi

Para një viti Beogradi dërgoi një grup terroristësh, kriminelë paramilitarë, për të ndezur situatën në disa komuna të Kosovës ku dikur Serbia pretendonte kontroll de-fakto.

Ata ishin të stërvitur në facilitetet e ushtrisë serbe, të armatosur rëndë me pajisje e veshje edhe nga magazinat e asaj ushtrie.

Policia e Kosovës megjithatë kishte muaj që i kapte arsenalet e tyre, dhe i arrestonte “problematikët”. Në 24 shtator 2023 ata erdhën për të ndezur “luftën”, të cilën e kishim dëgjuar shpesh të përmendej nga politikanë e opinionistë, rajonalë e më gjerë, që thoshin “jepini diçka Serbisë që të mos kërcasë lufta”.

Ra dëshmor polici Afrim Bunjaku. Siç thotë një poezi “kush nuk e di ç’është dashuria, nuk e di ç’është vetëflijimi”. Dëshmori Afrim Bunjaku u flijua për dashurinë sublime, atdhedashurinë.

Kolegët e tij, policët e Kosovës, me profesionalizmin maksimal, brenda pak orësh asgjësuan sulmin terrorist, pa dëmtuar popullsinë civile e as pronat e tyre, por duke u kujdesur për mirëqenien dhe qetësinë e secilës familje të asaj ane, pavarësisht etnisë.

Sot, teksa analiza e disave ka ngecur “hala te ura”, situata në terren ka ndryshuar plotësisht. Në ato komuna të Kosovës nuk ka më zyra ilegale. Nuk kalon më kontrabanda e mallrave. As e drogës. As e parave. As e armëve. Nuk ka më centrale që prodhojnë kriptomonedha pa paguar rrymën elektrike, në kurriz të taksapaguesve të Kosovës. Pikat e larta janë krejt nën kontrollin e forcave të rendit, ndërsa rrugët dhe lagjet janë të qeta. Atje ku deri para pak vitesh nuk guxonte të shkelte shumëkush, në fshatra e qytete, në liqen e në gjithë kodrat përqark, sot mund të shkojë gjithkush, për qejf, për punë, për biznes, për turizëm.

Kriminelët dhe terroristët ose janë në arrati e strehohen nga Vuçiqi, ose përballen me drejtësinë, por nuk janë më nëpër rrugë.

Populli i thjeshtë, qytetarët, të cilësdo etnie, përfshi edhe serbët e Kosovës, i drejtohen institucioneve të vetme legjitime, atyre të Kosovës, për dokumenta, subvencione, targa makinash, leje shoferi e gjithçka.

Shtëpitë e djegura të shqiptarëve dhe të të tjerëve, që ishin larguar dhunshëm prej andej, po rindërtohen.

Bizneset po hapin dyqane e punëtori. Njerëzit po bashkëpunojnë dhe po takohen. Dikush edhe e shfrytëzon të drejtën qytetare dhe demokratike për protestë paqësore, e cila në Kosovë garantohet me ligj, ndryshe nga ç’bën Vuçiqi me opozitën e vet në Serbi.

Një vit pas Banjskës, faktori kërcënues, kriminal e terrorist është dobësuar shumë. S’ka nevojë të flemë gjumë dhe të themi se është zhdukur. Por faktet në terren kanë ndryshuar. Kush e ka meritën e dinë të gjithë.

Tash në dialog tryeza është më e barazpeshuar. Beogradi ka shumë më pak mundësi për të shantazhuar.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *