Kryeministri Edi Rama reagoi në rrjetet sociale pas debateve të shumta që solli propozimi i tij për krijimin e një Shteti Bektashi me sovranitet ekstra-territorial, i ngjashëm me atë të Vatikanit.
Rama thekson në postimin e tij se zhurma e madhe publike rreth këtij propozimi e përforcon bindjen e tij për jetësimin e kësaj ideje.
Rama kërkon që shqiptarët të mësojnë më shumë rreth bektashizmit.
REAGIMI I RAMËS:
Jam mësuar të lexoj e dëgjoj çudira pas çdo ideje të re apo projekti ndryshimi që kam shprehur apo paraqitur në tërë këto vite, po këtë herë çuditë e thëna a të shkruara fill pas shprehjes së idesë të krijimit të një entiteti sovran të Urdhërit Bektashi, brenda perimetrit të pronës së Kryegjyshatës Botërore në Tiranë, kanë kaluar kufijtë e të gjitha fantazive dhe ligësive të pritshme.
E vetmja gjë që nuk kam dëgjuar të thuhet nga kundërshtarët e zjarrtë të kësaj ideje është qoftë edhe një fjali me kuptim, mbi historinë dhe rolin e bektashinjve në fatet e kombit e të shtetit tonë, se mirë për sfidat e mbijetesës së Urdhërit Bektashi sot e gjithë ditën duket që as nuk do t’ia dijë askush nga ata që çfarë s’po nxjerrin prej goje!
Padija e skëterrshme dhe shkujdesja brutale në trajtimin e një çështjeje me kaq vlerë, ma përforcojnë bindjen se kësaj ideje i ka ardhur koha të vihet në jetë dhe se nevoja e këtij hapi është jo vetëm në harmoni të plotë me interesin tonë kombëtar, po edhe në shërbim të domosdoshmërisë së investimit tonë të vazhdueshëm për ruajtjen e për pasurimin e thesarit të paçmueshëm të tolerancës e të harmonisë fetare, ku bektashizmi ka meritën dhe rolin e vet të pazëvendësueshëm krahas tre besimeve të tjera.
Gjithësesi, nga ideja tek jetësimi i saj ka një kohë të tërë për t’u kthjelluar çdo gjë dhe një proces të tërë publik e legjislativ për t’u zhvilluar, kështu që nuk ka asnjë ngut e asnjë nevojë për polemika të kota.
Në ndërkohë ftesa ime për kundërshtarët e kaqshumëngutur të idesë është që të njihen me faktet dhe kontributet historike të Urdhërit Bektashi në punët e kombit e të fesë në Shqipëri, duke shpresuar se mbase kjo njohje do t’i ndihmojë për të parë të paktën diçka sa të thjeshtë aq edhe kuptimplotë.
Ndryshe nga komunitetet e tjera, të cilat kanë avantazhin e natyrshëm të përkatësisë në komunitete shumë të mëdha me shtrirje globale – pra kanë edhe mundësi të mëdha mbështetjeje të pandërprerë në rrugën e tyre – komuniteti bektashi është si të thuash “jetim” në këtë këndvështrim. Prandaj afërmendsh që ngritja e statusit të Kryegjyshatës Botërore në Shqipëri në nivelin e një entiteti sovran, jo vetëm do të ulte ndjeshëm kërcënimin real të tkurrjes së atij komuniteti deri në tretje në harkun e disa dekadave, po do të garantonte një vazhdimësi të qëndrueshme të ekzistencës së tij për breza të tërë.