Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës së Apelit që la në fuqi dënimin e tij me 1 vit burg për akuzën e “kallëzimit të rremë”. Gjatë një interviste në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Salianji akuzoi gjyqtarët dhe hodhi dyshime të forta mbi procesin gjyqësor, duke e cilësuar vendimin si politik dhe të manipuluar.

Sipas Salianjit, ky dënim ishte paralajmëruar më herët nga Kryeministri Edi Rama në Kuvend. “Rama e kishte dhënë vendimin para dy javësh, por sot thjesht u konfirmua”, u shpreh ai, duke shtuar se edhe deputeti Gazment Bardhi është në shënjestër të Ramës për t’u dënuar.

Salianji tha se prokurori i çështjes ishte dorëzuar dhe nuk kishte asnjë bazë ligjore për akuzat ndaj tij. “Prokurori ngriti duart sot dhe tha se e lë në çmim të gjykatës. Vendimi kundër meje ishte një manipulim total. Nuk kishte asnjë dokument të vlefshëm që të mbështeste akuzën,” deklaroi ai.

Ai përmendi se provat kyçe që mbështesnin dënimin e tij ishin të falsifikuara, duke shtuar se një dokument i paraqitur në gjykatë ishte i vulosur rishtazi nga avokati i Geron Xhafajt, ndërsa ky dokument nuk kishte qenë pjesë e dosjes më parë. “Gjykatësja më tha hajde shife këtu dokumentin, por nuk kishte vulë dhe nuk ishte dorëzuar as nga palët, as nga prokuroria. U dorëzua vetëm një ditë para seancës, me një vulë të njomë,” shpjegoi Salianji.

Deputeti demokrat gjithashtu ngriti akuza të forta ndaj gjyqtarëve të përfshirë në çështje. Ai përmendi emrin e gjyqtarit Genti Shala, duke pretenduar se ky i fundit është përfshirë në përgjimet e platformës Sky ECC, e cila është përdorur nga kriminelë për të komunikuar. “Njëri nga gjyqtarët del në përgjimet e Sky ECC, ndërsa tjetri, Genti Shala, ka ambicie të shkojë në Gjykatën e Lartë”, tha ai, duke ngritur dyshime të forta për integritetin e procesit.

Salianji mohoi çdo akuzë se ai kishte bërë kallëzim ndaj Geron Xhafajt, duke theksuar se audio-përgjimi ishte publikuar fillimisht nga gazetari Jetmir Olldashi dhe më pas ishte shpërndarë prej tij. “Unë nuk kam bërë kallëzim fare. Çështja doli fillimisht në portalin Bold të Jetmirit, pastaj e kam marrë unë”, tha ai.

Deputeti demokrat vazhdoi të sulmonte ashpër sistemin e drejtësisë, duke pretenduar se ata po mbronin trafikantët e drogës në vend të ndjekjes së ligjit dhe drejtësisë. Sipas tij, procesi kundër tij ishte një përpjekje për të shmangur hetimet mbi trafikun e drogës.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *