Shqipëria dhe Serbia duket se e kanë fituar të drejtën e organizimit të kampionatit evropian U-21 për vitin 2027, fakt i cili ka sjellë dhe reagimin e grupimit të tifozërisë të kombëtares shqiptare të njohur si “Tifozat Kuq e Zi”.
Në reagim shprehet mospajtimi për organizimin e këtij kampionati duke akuzuar Federatën Shqiptare të Futbollit se ka cënuar rëndë dinjitetin dhe historinë e shqiptarëve dhe vuajtjeve të tyre nga hegjemonizmi serb.
Reagimi nga Tifozat Kuq e Zi
Organizimi i kampionatit europian për moshat U21, nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe shkijeve është akti më i turpshëm që bëhet në emër të tifozëve shqiptarë dhe opinionin futbolldashës të Kombëtares Shqiptare të futbollit.
Ky organizim asesi nuk mund të quhet i Shqipërisë, pasi FSHF-ja nuk ka kompetencën të flasë në emër të shqiptarëve dhe Shqipërisë, por vetëm në emër të vetin si organizatë, e që pas këtij akti do të gjejë mbështetje vetëm tek punonjësit e vet që u jep pagë.
Nuk mjaftuan me mijëra reagime, shkrime, emisione e analiza unanimisht KUNDËR për këtë nismë, por që FSHF-ja me saktë kreu i saj me hirë ose pahirë mori mbi supet e veta të drejtën e vendosjes kokë më vete për një nismë me kaq shumë kundërshtime.
Nuk mjaftuan as qindra mijëra viktima shqiptare, gjenocidi e masakra nga ana e shkijeve. Gjithashtu nuk mjaftoi as nata e 14 tetorit kur Kombëtarja Shqiptare u gjend në një ambient terrori, e ku u bë thirrje “vrisni shqiptarët”, e ku lojtarët shqiptarë u rrahën e u fyen, madje edhe u rrezikua jeta e tyre.
Nismat e tilla kryeneçe, e mospërfillëse ndaj opinionit të të lartëpërmendurve, që për lavdinë e tyre personale, egoja e shëmtuar për të luajtuar ndërtuesin e paqes globale në dëm të harmonisë së ekipit kombëtar, të mbështetësve të saj që me gjithë sakrificën e tyre financiare e familjare, e kanë ndjekur deri tani ekipin kombëtar, do t’ju kthehet bumerang.
Nesër do të jetë vonë, kur thirrjet tuaja do të bëhen përgjëruese ndaj përkrahësve të Kombëtares dhe sportdashësve, për t’i ulë gjakrat e tensionin dhe për të kërkuar kompromis e partneritet.