Nga Lutfi Dervishi
Kur qyteti nis i ngjan Venecias, kur rrugët kthehen në lumenj, oborret në pishina dhe dhomat në akuarium, një mendje te thotë se mund të ketë rënë shi.
Ndërsa shiu ra sot me përmasa biblike, televizionet, qe nuk e kishin pare shiun, raportuan për përmbytjet në Bosnjë, Itali, Mal të Zi, SHBA, etj.
Përderisa ministrat dhe kryebashkiakët nuk kanë raportuar ndonjë situatë problematike, do të thotë se çdo gjë është në rregull.
Nëse qeveria thotë se nuk po bie shi, nuk ka pse të biem pre e dezinformimeve të atyre që nuk ua duan të mirën vendit dhe duan të trembin turistët që po vërshojnë nga çdo drejtim.
Edhe nëse këtu bie shi, shiu është më shumë një metaforë sesa një ngjarje e vërtetë meteorologjike.
Është si pyetja e vjetër filozofike: nëse një pemë bie në pyll dhe askush nuk poston për të, a ka rënë vërtet pema?
Mund të përmbytet gjysma e vendit, por përderisa gjysma tjetër është në rregull, duhet të jemi optimistë dhe të shohim goten gjysmë të mbushur.
Sa për njerëzit që sonte po bashkëjetojnë me ujin, u duhet thënë se nuk është ujë i vërtetë, por po përjetojnë një ëndërr të keqe që me siguri do u kalojë. Punë ditësh është. Dhe nëse kanë nevojë për ngushëllim, le të shohin lajmet me përmbytje nga Bosnja dhe telegramet e ngushëllimit që u dërgojmë ne atyre. Eshtë koha që t’i kujtojmë fqinjëve dhe botës se nuk rregullohet çatia ditën që bie shi.
Ndërkohë që shohim lajmet me përmbytje nga Ballkani në Europë, duhet të jemi falenderues që këtu nuk ka jo përmbytje, por as shi.
Edhe nëse shihni ndonjë postim me “përmbytje” në rrjetet sociale, me siguri janë sajesa me programet e Inteligjencës Artificiale.