“Corriere della Sera” shkruan se vendimi i gjykatës së Romës për rikthimin në Itali të disa prej emigrantëve të ardhur në kampin e Gjadrit ishte i pritshëm pasi Bashkimi Evropian shprehu skepticizëm për marëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë.
Në artikull theksohet ndër të tjera se përplasjet mes politikës dhe gjyqësorit janë një realiett i njohur në politikën italiane dhe se ky kurs mes gjyqësorit dhe qevrisë së kryeministres Xhorxhia Meloni mund të vijojë me të tjera përplasje në të ardhmen.
Artikulli i plotë në “Corriere della Sera”:
Vendimi i gjykatës së Romës për rrëzimin e riatdhesimit të shtetasve të huaj të transferuar në Shqipëri ishte kryesisht i parashikueshëm. Ditët e fundit në të njëjtën mënyrë janë shprehur edhe gjyqtarë të tjerë, të cilët kanë vendosur të mos aprovojnë ndalimin e shtetasve të huaj, të cilët pas zbarkimit ishin transferuar në qendrat e paraburgimit në Itali. Të gjithë urdhrat e lëshuara në dy javët e fundit bazohen në një vendim të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, e cila më 4 tetor ripërcaktoi kriterin e “vendit të sigurt” duke vendosur kufizime të rrepta për mundësinë e riatdhesimit të emigrantëve në vendet e tyre të origjinës. Çështja e shqyrtuar në Luksemburg kishte të bënte me një shtetas moldav i cili mbërriti në Republikën Çeke dhe ndaj tij ishte aktivizuar procedura e dëbimit. Por, siç ndodh gjithmonë me vendimet e Gjykatës së Drejtësisë, parimi duhet të zgjerohet dhe për këtë arsye duhet të zbatohet nga të gjitha shtetet anëtare.
Kjo do të mjaftonte për ta bërë të vështirë kuptimin e sherrit politik që shpërtheu, pak minuta pas depozitimit të urdhëresës për emigrantët e dërguar në Shqipëri. Qendra e djathtë sulmoi menjëherë gjyqtarët, duke e cilësuar një vendim të bazuar në elementë politikë. Opozita nxitoi të pretendonte se kishte të drejtë kur sulmoi marrëveshjen e nënshkruar me Tiranën, duke mos marrë parasysh faktin se çështja është e përgjithshme. Kështu të dyja palët kanë treguar se nuk kanë trajtuar thelbin e vërtetë të problemit dhe pasojat që mund të ketë në Itali, por në përgjithësi në Evropë mbi menaxhimin e flukseve migratore dhe në veçanti mbi pamundësinë e riatdhesimit të të huajve që nuk kanë të drejtë për të qëndruar.
Linja e zgjedhur nga qeveria Meloni me hapjen e qendrave në Shqipëri ka një objektiv ekskluzivisht parandalues, edhe sepse 3000 vende nuk mund të përfaqësojnë zgjidhjen e mbipopullimit të strukturave. Mesazhi është i qartë: “Mos u nisni për në Itali, edhe nëse keni ndërmend të shkoni në shtete të tjera evropiane, sepse ne do t’ju pengojmë që në asnjë mënyrë të mos prekni tokën tonë”.
Megjithatë, zbatimi i kësaj marrëveshjeje aktualisht është dëshmuar të jetë jashtëzakonisht i kushtueshëm nga pikëpamja ekonomike dhe mbi të gjitha praktike, duke përftuar kështu efektin e kundërt me atë që synohej. Është e vërtetë që kryetarja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen foli për “zgjidhje inovative për të përballuar urgjencën” duke u angazhuar për të eksperimentuar me “modelin e Shqipërisë” dhe drejtues të tjerë kanë shprehur mendime pozitive, por konsensusi nuk është unanim dhe në çdo rast është e nevojshme të merren parasysh kufizimet e vendosura nga rregullat dhe konventat e vetë Bashkimit. Rruga përpara për një projekt të përbashkët duket ende e gjatë.
Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të ruhet një linjë e qëndrueshme pa iu nënshtruar reagimeve të çrregullta. Historia e këtij vendi është shënuar në dekadat e fundit nga një përplasje mes politikës dhe gjyqësorit e cila ndonjëherë ka pasur pasoja dramatike. Çdo qeveri, nëse ka kapacitetet dhe numrat në Parlament, ka të drejtën dhe detyrën të çojë përpara programin e saj dhe në çështjet e drejtësisë, ekzekutivi i drejtuar nga Giorgia Meloni po e bën kaq shpejt i ndihmuar edhe nga disa deputetë të cilët – të paktën zyrtarisht – janë në anën e kundërt të gardhit. Ajo mund ta bëjë këtë pa ngritur tonin, por edhe duke konsideruar dërgimin e disa ministrave për të organizuar një seancë në Palermo ku një seancë dëgjimore në gjyqin kundër Matteo Salvinit për çështjen e “Open Arms” kjo u konsiderua si e papërshtatshme.
Këshilli i Ministrave do të mblidhet të hënën dhe në rendin e ditës është marrja e një mase që do t’i lejojë qeverisë të kapërcejë ngërçin e krijuar nga vendimi i Gjykatës Evropiane. Zyrat legjislative të Palazzo Chigi-t dhe Ministrisë së Brendshme janë në punë. Hipoteza është që vendimi i gjyqtarëve të apelohet për të bllokuar efektin e tyre. Rruga gjyqësore, pra, është e vetmja e mundshme për momentin nëse nuk dëshirohet të përkeqësohet një konflikt midis pushteteve shtetërore që tashmë ka arritur nivele shumë të larta. Në momente delikat – dhe ajo që Italia po përjeton është për shkak të tensioneve të brendshme, por mbi të gjitha për shkak të krizës ndërkombëtare – ku bëhet thelbësore të lëvizësh me kujdes dhe përgjegjësi. Duhet vetëdije se fibrilacionet e vazhdueshme, apo edhe më keq, përplasjet institucionale, mund të shkaktojnë vetëm dëme të mëtejshme.