Drejtuesi i “Lëvizja Bashkë” Arlind Qori shkroi në Fejsbuk se arrestimi i Ilir Metës ishte i drejtë, por misioni i drejtësisë nuk mund të quhet i përmbushur për sa kohë që Edi Rama dhe Erion Veliaj mbeten të lirë

“Arrestimi i Ilir Metës ka gëzuar shumë njerëz. Edhe mua, dora në zemër, që ende e mbaj mend kur Fatos Nanoja (edhe ky kandidat i harruar për të dhënë llogari për korrupsion) i rendiste bëmat në fillim të viteve 2000. 

Sidoqoftë, pavarësisht perceptimit popullor dhe jopopullaritetit të Metës, drejtësia në Shqipëri është ende e mangët sa kohë Erion Veliaj dhe Edi Rama, keqbërës të korruptuar njëlloj si Meta dhe Berisha, mbeten të lirë e të pushtetshëm. Çdo ditë që Ramës dhe Veliajt i vonon thirrja në SPAK për çështjet e inceneratorëve dhe pastrimin e parave me kulla në Tiranë, është një pikëpyetje gjithnjë e më e lartë për besueshmërinë e reformës në drejtësi.

Unë mendoj se detyra e një drejtuesi politik nuk është të anatemojë institucionet e drejtësisë kur i djeg miza nën kësulë; as të bëjë tifozllëk me shpresën se arbitri do të nxjerrë me karton të kuq gjysmën e skuadrës kundërshtare për ta fituar ndeshjen në tavolinë. Detyrë është që t’u kërkojë publikisht llogari institucioneve të drejtësisë që ta bëjnë detyrën me paanësi dhe pa marrë në konsideratë asnjë llogari politike. Askush nuk mund të amnistohet, askujt nuk mund t’i shtyhet në kohë përballja me ligjin për shkak të pushtetit që ka apo pozitës institucionale që zë. Ligji ose është i barabartë për të gjithë, ose është bojë printeri mbi një copë letre të pavlerë.” – shkroi Qori.

Ai po ashtu ftoi pensionistët në protestën e thirrur nga subjekti i tij të mërkurën para kryeministrisë.

“Thënë kjo, unë nuk kam ndër mend të harxhoj më kohë me fatin e Metës me shokë. Ndaj pasi të keni arritur deri në këtë pikë të postimit, ju rikujtoj se ngjarja vërtet e rëndësishme e javës, muajit apo vitit është protesta e pensionistëve përpara kryeministrisë. Pushtetin e korruptuar dhe autoritar do ta vëmë me shpatulla për muri ne, qytetarët e ndershëm dhe të nëpërkëmbur, duke i kërkuar llogari për çdo të vjedhje, shpërdorim dhe neglizhencë kriminale ndaj fatit të shumicës dërrmuese të shoqërisë.

Shihemi të mërkurën në orën 10:00 përpara kryeministrisë për pensione dinjitoze dhe minimum jetik!” – shton Qori 

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *