Nga Lutfi Dervishi

Ilir Meta mund të ishte sot duke dhënë mësim në fakultet por, ende pa mbaruar studimet në dhjetor të 90-tës, vendosi t’i futej rrugës së politikës për të kapur, si rrallëkush brenda tri dekadash, majat e profesionit të dytë më të vjetër në botë, politikës, si ministër, kryeministër, kryetar Parlamenti dhe president republike.

Sot, ai u arrestua rrëmbyeshëm me akuzat për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe korrupsion. Bashkëshortja e tij dhe bashkëudhëtarja politike deri para pak muajsh, hetohet në gjendje të lirë. 

Akuza do duhet të provojë në gjykatë se “çfarë ka marrë Meta”, ndërkohë historia do të vlerësojë edhe çfarë ka dhënë ai në këto 30 vite.

I vetëbërë në politikë, Meta u bë kryeministri me i ri i tranzicionit, në moshën 29-vjeçare. I vlerësuar si kryeministër i sukseseshëm me 1999-2001, Meta synoi shumë shpejt gjithçka. Dha dorëheqjen pas perplasjeve me kryetarin e PS-së Nano dhe u nxitua të krijonte LSI- në, më 2004. Nëse do të kishte përvojë e durimit strategjik, një vit më pas ai mund të ishte kryetari i natyrshëm i PS-së.

Me LSI-në, Meta arriti të thyejë përkohësisht dypolin PS-PD.

Forca e krijuar prej tij bëri të mundur rotacionin me 2005 dhe 2013.

Aleanca me PS-në, më 2013 i dhuroi pushtet për herë të dytë LSI-së, pas 4 vjeçarit me PD-në. Aleanca me Ramën është dhe fillimi i fundit të LSI-se. 

Kur partia e krijuar prej tij nuk mundi të luante rolin e “kingmaker”, mbeti vetë “king”.

Katër vjet kryetar Parlamenti dhe 5 vjet President i Republikës ishin dhe majat e pushtetit personal të Metës. Nga lartësia e kreut të shtetit ai përballoi dy “impeachment” nga shumica që e zgjidhim, por pa edhe rrudhjen e LSI-së që u mundua ta ripërtërijë, pas mandatit presidencial (2017-2022) duke e riformatuar si Partia e Lirisë. 

“Pushteti lodh ata që nuk e kanë”! Lëre pastaj ata që e kanë! Kjo maksimë u provua me Metën dhe partinë e tij.

Akuzat për korrupsion, përballjet në vite me prokurorët, paranoja që sjell, për cilindo qoftë, pushteti i gjatë, retorika e pa kontrolluar, i sollën kosto politike, familjare dhe së fundmi, edhe ligjore. 

Në gjykatë Meta do të ballafaqohet me një hetim pesë vjeçar të SPAK për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe korrupsion. 

Meta sot po përjeton një nga episodet më të errëta të karrierës së tij. Ashtu siç historia do të tregojë çfarë ai ka dhënë për politikën shqiptare dhe per vendin, drejtësia do të tregojë se çfarë ka marrë prej tyre. Tani, beteja e radhës e Metës është me drejtësinë që mund të vendosë epilogun e një karriere të mbushur me kontradikta. Në politikë ai ka vërtetuar thënien se mund të vdesë disa herë!

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *