Nga data 1 nëntor, Enti Rregullator i Energjisë (ERE) do të nisë aplikimin e çmimeve të rritura të energjisë për furrat e bukës dhe pastiçeritë gjatë orareve të pikut. Kjo rritje prej 15% pritet të ndikojë dukshëm në kostot e prodhimit, çka do të reflektohet në një rritje të çmimit të bukës me 15-20 lekë për njësi, sipas deklaratave të ekspertëve dhe prodhuesve të këtij sektori.

Ekspertja e ekonomisë Romina Radonshiqi thekson se kjo rritje e energjisë do të ketë një ndikim të ndjeshëm tek bizneset e vogla të furrave dhe tek konsumatorët, sidomos për familjet me të ardhura të ulëta, që shpenzojnë një pjesë të madhe të buxhetit për ushqime bazike. Shumë furrat e bukës janë shprehur kundër vendimit, duke theksuar se rritja e çmimit të energjisë do të krijojë presion shtesë mbi kostot e tyre, ndërkohë që tashmë përballen me shtrenjtimin e lëndëve të para dhe rritjen e pagave të punonjësve.

Sipas vendimit të ri, çmimi i energjisë për furrat do të ndryshojë gjatë orëve të pikut – nga ora 18:00 deri në 22:00 gjatë periudhës së dimrit dhe nga ora 19:00 deri në 23:00 në periudhën e verës. Në këtë kohë, tarifat e energjisë do të rriten për tre kategori biznesesh: për furrat e bukës nga 7.6 lekë/kWh në 8.74 lekë/kWh; për pastiçeritë dhe furrat e bukës nga 9.5 lekë në 10.93 lekë/kWh; dhe për furrat që ofrojnë edhe shërbime të tjera, çmimi do të shkojë nga 12 lekë në 13.8 lekë/kWh.

Prodhuesit e bukës konsiderojnë se kjo rritje tarifash do t’i detyrojë të rrisin çmimin e bukës, duke kërkuar mbështetje shtesë nga qeveria për të përballuar kostot në rritje. Në anën tjetër, ekspertët sugjerojnë se bizneset mund të planifikojnë prodhimin e bukës në orë të tjera jashtë pikut, për të shmangur ndikimin e tarifave më të larta dhe për të ruajtur çmimet më të ulëta për konsumatorët.

Në përballje me rritjen e çmimeve për produkte bazike si buka, grupet më të ndjeshme – sidomos pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta – do të ndihen më shumë të prekur, duke përfshirë edhe nevojën për të rishikuar prioritetet në shpenzimet e tyre.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *