Kamala Harris, kandidatja demokrate për presidente të SHBA-së, i ka bërë thirrje komunitetit shqiptaro-amerikan që ta mbështesin atë në zgjedhjet e 5 nëntorit. Në një letër të hapur, Harris ka vlerësuar kontributin e komunitetit shqiptaro-amerikan në ndërtimin e kombit, duke përmendur shpirtin e tyre sipërmarrës, vlerat familjare dhe angazhimin në arsim e qytetari. Ajo ka përmendur rolin kyç të këtij komuniteti në zhvillimin ekonomik dhe forcimin e shoqërisë amerikane.
Harris ka theksuar gjithashtu lidhjet historike mes amerikanëve dhe shqiptarëve, të cilat datojnë që nga Konferenca e Paqes në Paris pas Luftës së Parë Botërore, dhe ka kujtuar mbështetjen e SHBA-së për pavarësinë e Shqipërisë dhe Kosovës. Ajo ka riafirmuar angazhimin për të forcuar partneritetin mes SHBA-së dhe Shqipërisë dhe për të mbështetur një Kosovë demokratike dhe të integruar ndërkombëtarisht.
Përveç politikës së jashtme, Harris ka premtuar të trajtojë sfidat që has komuniteti shqiptaro-amerikan dhe të promovojë politika që ngrenë këtë komunitet, përfshirë mundësitë ekonomike dhe mbrojtjen e të drejtave civile. Ajo ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së këtij komuniteti në demokracinë amerikane, për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët dhe më të mirë.