Publicisti dhe gazatari i njohur, Enver Robelli shkroi në Fejsbuk se nënkyetari i LDK-së, Lutfi Haziri duhet ta tërheqë dekleratën e tij ku veprimet e qeverisë së Albin Kurtit në veriun e Kosovës i krahason me represionin e Aleksandër Rankoviçit gjatë pushtimit jugosllav.
“Para shumë vitesh e kam parë të udhës të demaskojë disa propagandistë në Prishtinë që në betejën e tyre të verbër për pushtet thoshin: “Hashim Thaçi ka qenë vjedhës farmerkash në Zvicër”. Tani e shoh të udhës ta quaj të turpshëm e të ndyrë krahasimin që nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ia bëri kryeministrit të Kosovës me Aleksandër Rankoviqin. “Edhe Rankoviqi ka konfiskuar armë…”, tha ai duke iu referuar aksioneve të policisë së Kosovës në veri të vendit, ku herë pas here konfiskohen edhe armë.
Kryeministri i tanishëm i Kosovës i ka dobësitë e veta të mëdha në qeverisje. Për ato dobësi duhet të flitet. Duhet të kritikohet. Duhet të raportohet me fakte. Tentimi i disa opozitarëve për ta shpallur “njeri të Serbisë” tregon vetëm varfëri mendore dhe frustrim të madh.
Ata që e kanë përjetuar aksionin e armëve në Kosovë në vitet 50-të janë pak, shumica kanë vdekur, por rrëfimet e tyre kanë mbetur. Janë rrëfime që tmerrojnë çdo njeri që ka ndjeshmëri për viktimat. Është legjitime që opozita, mediat etj. të kenë dilema nëse strategjia e qeverisë në veri mund të ketë sukses, por është kolaps moral e etik që çdo veprim i qeverisë në veri të quhet aksion në interes të Serbisë dhe për këtë si dëshmitar të nxirret nga humnera Aleksandar Rankoviqi. Në një vend normal, Lutfi Haziri do të dilte e sqaronte para opinionit se ka dhënë një deklaratë të marrë, të cilën e tërheq. Dyshoj se do e bëjë këtë. Ka pak shqiptarë që pendohen për gabimet e tyre.” – shkruan Robelli.