Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka vendosur të shtyjë seancën për Ligjin e gjuhëve tash për tash për një datë të pacaktuar. Në këtë seancë pritet të marrin pjesë ekspertë të fushës dhe përfaqësues të partive politike, të cilët do të paraqesin argumentet e tyre lidhur me kontestimin e Ligjit për gjuhët.
Propozimi për shtyrjen e seancës u bë nga gjykatësja e Gjykatës Kushtetuese, Elizabeta Dukovska, e cila është përgjegjëse për këtë çështje. Kundër këtij vendimi ishte gjykatësja Dobrilla Kacarska, e cila e theksoi se gjykata duhet të jetë ajo që jep fjalën përfundimtare.
Ligji për gjuhët parasheh përdorim të zgjeruar të gjuhës shqipe dhe e përmend atë në mënyrë specifike në nenin 2.
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, i cili vjen nga koalicioni shqiptar VLEN, siguroi gjatë një konference për shtyp të martën se Ligji për gjuhët “nuk do të preket”.
“Ne, si VLEN, thamë se ligji nuk do të preket, Gjykata Kushtetuese e vërtetoi këtë. Ka dalë dokumenti që nuk preket as Ligji për gjuhët, po as përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe. Të njëjtën e tha edhe kryeministri, si dhe kryetarja e shtetit”, deklaroi Mexhiti.
Më herët, gjatë javës së kaluar, Mexhiti kishte njoftuar se gjyqtarët shqiptarë në Gjykatën Kushtetuese do ta bojkotonin seancën e 11 dhjetorit, dhe me këtë, sipas tij, “vendimi nuk mund të kishte legjitimitet”.
“Është prononcuar edhe kryetari që duhet të marrin pjesë të gjithë gjykatësit dhe nëse dikush mungon, atëherë nuk ka legjitimitet vendimi”, kishte thënë Mexhiti më 6 dhjetor.
Për cilin dokument bëhet fjalë?
Sipas një dokumenti të publikuar së fundmi, i përgatitur nga një gjyqtar kushtetues, thuhet se “Gjykata Kushtetuese nuk duhet të iniciojë procedurën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve”.
Dokumenti thekson se më 11 dhjetor nuk do të fillojë procedura për të vlerësuar kushtetutshmërinë e ligjit, pasi ai është i mbështetur në Kushtetutën e vendit.
“Përmbajtja e Ligjit të kontestuar për përdorimin e gjuhëve në tërësi ka bazën dhe arsyetimin e vet kushtetues në Amendamentin V të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Prandaj, besojmë se kushtetutshmëria e tij nuk mund të vihet në pikëpyetje as me këtë amendament, as me nenin 51 – paragrafët 1 dhe 2, nenin 8 – paragrafi 1, siç thuhet në nismë”, thuhet në dokument.
Megjithatë, dokumenti sugjeron që të iniciohet procedura për disa formulime të përgjithshme dhe dy dispozita specifike të ligjit, që lidhen me përdorimin e simboleve në monedha dhe proceset gjyqësore. Kjo nënkupton se seanca e së mërkurës nuk do të shqyrtojë kushtetutshmërinë e të gjithë ligjit, por vetëm disa dispozita të tij.
Gjykata Kushtetuese, nga ana e saj, ka njoftuar se nuk do të komentojë shpërndarjet mediatike, besueshmërinë e dokumenteve të publikuar, si dhe deklaratat dhe reagimet politike që vijnë në prag të seancës së caktuar.
Ligji për gjuhët
Ligji për përdorimin e gjuhëve përbëhet nga 25 nene. Ky ligj hyri në procedurë parlamentare më 5 shtator 2017. Presidenti i atëhershëm, Gjorgje Ivanov, refuzoi ta dekretonte, duke argumentuar se ligji ishte antikushtetues. Megjithatë, më 11 janar 2018, Ligji për gjuhët u miratua me 69 vota pro, pa asnjë votë kundër apo abstenim.
Opozita, e udhëhequr asokohe nga VMRO-DPMNE-ja, nuk mori pjesë në seancë.
Sikurse presidenti Ivanov, edhe opozita e cilësoi ligjin si antikushtetues.
Ndryshimet kryesore që solli ligji i ri ishin: “përdorimi i gjuhës shqipe edhe në procese gjyqësore, në bankënota dhe në uniforma policore”.
Pas miratimit, ligji u kundërshtua nga 13 iniciativa të paraqitura nga qytetarë, parti politike dhe shoqata të ndryshme. Mes këtyre ishte edhe partia më e madhe maqedonase VMRO-DPMNE, e cila në atë kohë ishte në opozitë dhe ishte angazhuar se do të bënte “korrigjime” pasi të kthehej në pushtet.
Megjithëse VMRO DPMNE-ja e kontestonte thuajse çdo aspekt, që nga mënyra e miratimit të ligjit deri te përmbajtja e tij, tani kryeministri Hristijan Mickoski, i cili vjen nga kjo parti, theksoi se “nuk do të ndodhë asgjë” dhe siguroi se situata është “nën kontroll”.
“I lus bashkëqytetarët shqiptarë, maqedonas të gjithë, të jenë të qetë. E gjithë puna është nën kontroll, gjithçka është nën kontroll, të mos lejojmë të biem pre e provokimeve të këtyre njerëzve”, deklaroi të martën Mickoski.
Më herët, ai kishte thënë se nuk po kontestohet i gjithë ligji, por “vetëm dy a tri dispozita”.
Partia shqiptare në opozitë, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), e cila po bëjnë “roje” para Gjykatës Kushtetuese, mendon të kundërtën.
BDI-ja ka shprehur shqetësim se nëse neni 23, paragrafi 5 i Ligjit për gjuhët abrogohet, atëherë i njëjti mund të bëhet i pazbatueshëm./ koha.net