Kryeministri i Kosovës ishte thirrur sot si dëshmitar nga Prokuroria Speciale për një çështje penale nën hetim, por ai nuk u paraqit pasi ndodhet jashtë vendit.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale tha se do të ketë një thirrje tjetër për Albin Kurtin siç e parashikon ligji.
“Prokuroria Speciale përmes thirrjes së rregullt e ka ftuar kryeministrin Kurti në cilësinë e dëshmitarit në një rast penal që kjo Prokurori e ka në hetim. Nga kabineti i kryeministrit Kurti, Prokuroria Speciale është njoftuar se kryeministri gjendet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet sot në Prokurorinë Speciale. Konform ligjit Prokuroria Speciale do ta përgatitë një ftesë tjetër për kryeministrin Kurti për një datë tjetër. Ky është i gjithë informacioni që mund ta ndajmë tani për tani.’ –tha Liridonë Kozmaqi-Hajdaraj.
Mediat në Kosovë raportojnë se Kurti do të pyetet për rastin e rezervave shtetërore, cështje për të cilën është nën hetim ministrja e kabinetit të tij, Rozeta Hajdari.