Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër i Kosovës, u shpreh gjatë prezantimit të kandidatëve për zgjedhjet e 9 Shkurtit se do të synohet marrja e 500 mijë votave.

Albin Kurti theksoi në listën e partisë që kryeson ofrohen alternativat më të mira ndërsa shtoi se një tjetër votëbesim me shumicë i VV-së është garanci për proceset shtetndërtuese në Kosovë. 

“Në listën e fitores sonë të madhe në këta 110 kandidatë, gjejmë një gamë të gjerë profesionesh nga njëshi deri 110-shi gjejmë 17 mjekë, 12 inxhinierë e tre të tjerë nga shkencat ekzakte, 12 juristë, 20 ekonomistë, tetë nga shkencat politike dhe integrimet evropiane, 12 nga shkencat e tjera sociale, tre nga marrëdhëniet ndërkombëtare, tetë nga gjuha shqipe dhe ato të huaja, pesë nga gazetaria dhe komunikimi masiv, dy nga bujqësia, tre nga fusha ushtarake, tre nga arti e kultura dhe katër nga sporti.” – u shpreh Kurti.

Sipas tij, Vetëvendosje nuk ka rivalë në këto zgjedhje dhe gara tjetër do të jetë ajo mes partive garuese për vendin e dytë dhe për pragun zgjedhor.

“Ata që garojnë me pragun, ata që garojnë mes vetes në garën për pretendent për garë seriozë dhe janë ata që garën e kanë me vetveten. Ne jemi krejtësisht në gara të ndara. Lëvizja VV së bashkuar me partnerët Guxo e Alternativa garon vetëm me veten, nuk humbim kohë me të tjerët, por të garojmë me veten në qëllimet tona më të larta – të angazhohemi me të gjitha mundësitë për ta ngritur subjektin tonë në shifrën prej gjysmë milionë të qytetarëve të Republikës.”- shtoi Kurti.

By Editor