Nga Arbër Zaimi

1. Thaçi e askush tjetër nuk ndihmohet dot me “shortcuts”. Nuk pinë ujë favorizimet e “shokët”. Ata që po përpiqen ta ndihmojnë me “metoda të vjetra” po ia rëndojnë situatën. Këtë aktakuzën e dytë Thaçi e mori dhuratë padashje nga ata që duan ta ndihmojnë. Gabimi themelor u bë kur u votua Gjykata Speciale, e ajo u votua me këmbëngulje pikërisht nga ata që sot flasin kundër saj, teksa VV protestonte. Zgjidhja më e mirë tash do të ishte bashkimi i ekipeve mbrojtëse në një ekip të vetëm, siç ka propozuar Kurti. Dhe duhet mbrojtje dinjitoze, me qëndrime politike, sepse nuk shpëtohet dot askush me “kfinta” e me mohime të vetvetes.

2. Kosova e Shqipëria kanë nevojë për integrim strukturor e infrastrukturor, për unifikim fiskal, tregtar e bankar, për përafrim diplomatik e ushtarak. Këto nuk bëhen me fjalime patetike. Dikush po i pengon këto në përditshmëri. Kushdoqoftë, duhet qortuar. Rehatia e secilit me vogëlsinë e të qenit të ndarë, është gabim. Nëse nuk bashkohemi seriozisht, jemi të rrezikuar. Bota nuk është ajo që ishte.

3. Ka njerëz në Kosovë që mezi presin që Rama të gabojë, për të sharë Shqipërinë. Ka njerëz në Shqipëri që mezi presin që Kurti të gabojë, për të sharë Kosovën. Këta disa janë të paguar, disave u është paguar baba a gjyshi. Disa janë thjesht mendjelehtë. Kujdes prej tyre.

By Editor