Kreu i Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Prodhuesit shkroi në Fejsbuk se siguria ushqimore në vendin tonë është seriozisht e rrezikuar pas skandalit të mandarinave, tregtimi i të cilave u ndalua jashtë vendit pas analizave që nxorën përbërje të rrezikshme në to.
Ervin Resuli shtoi se një grusht i vogël njerëzish me interesa politike dhe ekonomike kanë kapur tregun dhe po rrezikojnë seriozisht shëndetin e popullatës.
“SKANDALI ME MANDERINAT TREGOJE NJE SISTEM TE KAPUR TË MINISTRISË SË BUJQËSISË: SHQIPËRIA NË RREZIK
Problemet në sektorin e bujqësisë dhe sigurisë ushqimore po dalin në pah si pasojë e një sistemi të kapur nga interesa të ngushta ekonomike dhe politike. Ministria dhe drejtuesit e saj kryesorë kanë dështuar në garantimin e sigurisë ushqimore dhe në mbrojtjen e shëndetit publik, duke rrezikuar qytetarët dhe ekonominë e vendit. Shqipëria ka nevojë për një sistem transparent dhe të ndershëm, jo një institucion të kapur nga korrupsioni dhe interesat personale!
Çështjet e mëposhtme tregojnë një krizë të thellë dhe të rrezikshme:
1. Lopët me brucelozë – Kontrabanda e gjedhëve të infektuar nga Greqia në Korçe , një skandal që çoi në arrestimin e 40 personave në Greqi, ndërsa autoritetet shqiptare heshtin. Kjo rrezikon shëndetin publik dhe prodhimin vendas.
2. Ligje me porosi për medikamentet – Produkte të dyshimta nga Kina u tentua të futen në treg përmes ndryshimeve ligjore të porositura që i favorizojnë ato, pa asnjë vlerësim real të sigurisë dhe cilësisë.
3. Falsifikimi i etiketimeve – Hormoni Ethephon, i ndaluar për përdorim në kultura të caktuara, është lejuar duke i ndryshuar etiketiketen si i përshtatshëm për pambukun, kur në Shqipëri nuk mbillet pambuk. Ky manipulim është miratuar me firmë nga zv/ministri për sigurinë ushqimore pë ti hapur rruge tregetimit te tije në shqiperi.
4. Dështimi i vaksinës kundër brucelozës në të imta – Mungesa e efikasitetit të vaksinës ka ekspozuar popullatën ndaj rrezikut të infektimit dhe ka shkaktuar një dëm prej mbi 2 milionë euro për taksapaguesit shqiptarë.
5. Emërime politike në drejtori teknike – Drejtues pa kompetenca janë vendosur në poste kyçe, jo për interesin e punës, por për të shërbyer interesave të ngushta të ministrisë dhe rrjeteve të saj.
Përgjegjësit kryesorë: Ministrja, zv/ministri për sigurinë ushqimore, zv/ministri për bujqësinë – i cili është gjithashtu një nga prodhuesit dhe tregtarët më të mëdhenj të mandarinave në vend – dhe drejtori i politikave në ministri, drejtoresha e prokurimeve ne Ministri te Bujqesise . Ky grup njerëzish nuk i shërben interesit kombëtar apo konsumatorëve, por vetëm përfitimeve personale dhe biznesit të ngushtë.
KËRKOHET TRANSPARENCË DHE VEPRIM URGJENT SPAK ! Shqipëria ka nevojë për një sistem bujqësor dhe ushqimor të ndershëm, të sigurt dhe në shërbim ë qytetarëve, jo një sistem të kapur nga korrupsioni dhe interesat private.” – shkruan Resuli.