Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, u shpreh se Milan Radojçiç duhet të dorëzohet pranë organeve ligjzbatuese të Kosovës për të dhënë llogari për sulmin terrorist në Bajnskë.
Maqedonci shtoi se qenia e Radojçiçit në liri i mundëson këtij të fundit përgatitjen për sulme të reja terroriste ndaj Kosovës.
“Është theksuar edhe më herët jo vetëm nga Kryeministri Kurti, por edhe nga unë, si dhe nga drejtuesit e tjerë të dikastereve të sigurisë, përfshirë Ministrin e Punëve të Brendshme dhe Drejtorin e Policisë. Rrezik paraqet fakti që grupi i Radojçiçit dhe elementët ekstremistë dhe terroristë përreth tij mbeten të lirë brenda territorit të Republikës së Serbisë. Më keq akoma, ata mbështeten nga strukturat e Republikës së Serbisë për të operuar dhe për të funksionuar pikërisht brenda këtij territori,” tha Maqedonci.
“Fakti që ky grup vazhdon të mbetet i organizuar po dëshmon në vazhdimësi se paraqet rrezik për vendin tonë dhe jo vetëm, por edhe për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kjo është parë qartazi pas tentativës për aneksimin e një pjese të territorit tonë,” përfundoi ai.