Gazetari Flamur Vezaj shkroi në rrjetet sociale duke theksuar se Prokuroria e Posaçme më në fund u kujtua të hetojë kryebashkiakun e Tiranës. Vezaj thekson se është e çuditshme që SPAK-u nuk ka ngritur aktakuzë ndaj Erion Veliajt për inceneratorin e Tiranës dhe për dosjen “5D”, ku drejtorët përlanë miliona me lejen e Veliajt.

POSTIMI:

SPAK-u përballë Veliajt!

Prokurorët e SPAK-ut më në fund janë kujtuar të hetojnë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj! Por, çfarë dyshohet? Është e çuditshme që, edhe pse kanë kaluar më shumë se tre vite, kryebashkiaku Veliaj nuk është hetuar dhe as i është ngritur akuzë për inceneratorin e Tiranës. Tashmë dihet që miliona euro janë paguar dhe vazhdojnë të paguhen mijëra euro çdo ditë nga taksat e shqiptarëve për një “djegës mbeturinash” që nuk ekziston! Gjithashtu, Veliaj nuk është akuzuar për milionat e eurove që drejtorët e tij, me “lejen” e tij, dyshohet se kanë përvetësuar. Rasti njihet si dosja e drejtorëve “5D”, të cilët janë bërë milionerë duke dhënë tendera për veten.

SPAK-u nuk ka ngritur akuzë as për përgjimet telefonike të ardhura nga Italia mbi grupin kriminal “Ndrangheta”. Në këto përgjime, të besuarit e Veliajt flasin në emër të tij për pastrimin e miliona eurove. Për më tepër, Veliaj nuk po hetohet për mënyrën se si janë menaxhuar pronat e rindërtimit pas tërmetit. Nuk ka hetim as për shembjen e Teatrit Kombëtar, një veprim që u cilësua si shkelje e Kushtetutës. Po ashtu, kompania “Tirana DC” e Bashkisë së Tiranës, e cila administron pronat publike, është akuzuar për shpërdorim të qindra mijëra eurove, por as për këtë nuk ka hetime të thelluara nga SPAK.

E megjithatë, SPAK ka nisur një hetim për “Harabelin” e Ajola Xoxes, bashkëshortja e Veliajt. Miliona euro abuzime të denoncuara ndër vite dhe SPAK merret me këtë çështje?!

Por çudia nuk mbaron këtu. SPAK njoftoi se Veliaj, familjarët e tij dhe bashkëpunëtorët e besuar dyshohen për katër vepra penale, por nuk është caktuar asnjë masë sigurie. Pse ndodh kjo? Në raste të tjera, si ai i Ahmetajt, Ndrecës apo gazetarëve, për një akuzë të vetme caktohet menjëherë masa e sigurisë! Pse jo Veliajt dhe të tjerëve? Çfarë po presin?! A është kjo një standard i dyfishtë? Apo ka diçka më shumë pas këtyre vendimeve?

By Editor