Menjëherë pas Festës së Krishtlindjeve, më 26 dhjetor 2024, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u paraqit në SPAK. Ai tentoi të shfaqej përpara kamerave me qetësi dhe vetëbesim, në një performancë të ngjashme me atë të ish-zyrtarëve të tjerë si Saimir Tahiri, Ilir Beqaj, Safet Gjici dhe Vangjush Dako, të cilët janë përballur më parë me drejtësinë. Përkundër përpjekjeve për të treguar se nuk ishte i shqetësuar, atmosfera fliste ndryshe.

Siç është raportuar, Veliaj nuk shkoi në SPAK për një vizitë kortezie, as për një kafe me “kolegë apo miq”, por për t’u marrë në pyetje në kuadër të një hetimi të avancuar. Para tij, në të njëjtën institucion ishte thirrur edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, duke ngritur dyshime se çifti është përfshirë në të njëjtin hetim. Ata kanë ndërtuar së bashku një jetë me dashuri, familje dhe pasuri, por dyshimet mbi veprimtarinë e tyre ligjore kanë tërhequr vëmendjen e drejtësisë. Pavarësisht pretendimeve të tyre për pafajësi, prokurorët duket se po ndjekin indicie të forta që lidhen me shkelje të mundshme ligjore.

Spekulimet janë se Veliaj dhe Xoxa mund të thirren sërish në SPAK, dhe ndryshe nga herët e tjera, përfundimi i këtij procesi mund të mos jetë aq i qetë sa përpjekjet e tij për të lënë përshtypjen e një njeriu të paprekur nga akuzat. Provave të shumta që lidhen me projektet e diskutueshme si shembja e Teatrit Kombëtar, ndërtimi i kullave, tenderat e rrugëve dhe inceneratorët, bashkë me të tjera dyshime për korrupsion, duket se i janë shtuar elemente të tjera që po ndriçohen nga hetimet.

Në vend që të paraqitet si viktimë e letrave anonime, Veliaj duket të jetë përballur me një mori denoncimesh të cilat janë dorëzuar prej kohësh në prokurori, përfshirë SPAK-un. Justifikimet për të hedhur fajin diku tjetër nuk i ndryshojnë faktet e mbledhura deri më tani. Në këtë aspekt, ngjan me një hajdut ordiner që, edhe pasi i gjenden provat në xhep, pretendon se dikush tjetër ia ka futur atje për të sajuar një skenar të pavërtetë.

Nëse hetimet vazhdojnë të thellohen, siç pritet, daljet e ardhshme të Veliajt nga SPAK mund të mos jenë aq optimiste, duke shënuar një kapitull të ri në sagën e akuzave për korrupsion dhe abuzim me detyrën.

By Editor