Kryetarja e Këshillit Nacional Kombëtar për Sanxhakun, Amina Nuraj, deklaroi se shqiptarët e Sanxhakut kanë nisur iniciativa konkrete për t’u rikthyer te rrënjët e identitetit të tyre kombëtar.

Në një intervistë për Radio Kosova, Nuraj bëri të ditur se në Sanxhak tashmë është hapur një shkollë në gjuhën shqipe, ku ndjekin mësimet 30 nxënës.

Ajo theksoi se ka pasur kontakte me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili ka premtuar mbështetje për nismat e shqiptarëve të Sanxhakut gjatë vitit 2025.

Nuraj nënvizoi synimin për të shtuar numrin e nxënësve që ndjekin mësimet në gjuhën shqipe dhe për të intensifikuar aktivizmin për të drejtat e shqiptarëve.

Sipas saj, shqiptarët e Sanxhakut janë tërësisht të përjashtuar nga proceset e vendimmarrjes politike dhe nga politikat sociale, duke mbetur një ndër grupet etnike më të diskriminuara.

Nuraj kujtoi gjithashtu se ka pasur presione të shumta nga autoritetet serbe për të hequr dorë nga nismat për arsimin në gjuhën shqipe, por ajo siguroi se nuk do të tërhiqet nga qëllimi i saj.

By Editor