Ardhja e Ruben Amorim në stol dhe fitorja me përmbysje në derbin ndaj Mançester Sitit krijuan iluzionin e kthesës për Mançester Junajtidin. Mirëpo, humbjet radhazi ndaj Bornmuthit, Uolvesit dhe ajo e mbrëmshmja në shtëpi ndaj Njukasëllit e zhytën ekipin sërish në krizën ku e la Erik ten Hag para largimit.
Tekniku Amorim e pranoi pas disfatës me Njukasëll se skuadra e tij po kalon një nga momentet më të vështira në historinë e klubit, duke folur edhe për rrezikun e rënies nga kategoria.
“Jemi në situatë shumë të vështirë. Rrezikojmë shumë, deri te rënia një kategori më poshtë. Duhet të besojmë e të luftojmë shumë, pasi asgjë nuk do të jetë e lehtë. Ky sezon është ndër më të vështirët në historinë e klubit. Ne nuk duhet të dorëzohemi,” – tha Amorim.
Mançester Junajtid renditet i 14-ti në tabelën e renditjes, vetëm 7 pikë larg zonës së rënies nga kategoria.