Në Rripin e Gazës të paktën 54 persona, përfshirë gra dhe fëmijë, humbën jetën të enjten si pasojë e sulmeve ajrore të forcave izraelite. Viktimat përfshijnë dy oficerë të lartë të forcave policore të Hamasit, si dhe anëtarë të ekipeve lokale që ndihmonin në shpërndarjen e ndihmave humanitare.
Në orët e para të mëngjesit, forcat izraelite goditën zonën e Muwasit, e shpallur më parë si zonë humanitare nga vetë Izraeli. Në këtë vend, ku qindra mijëra persona të zhvendosur jetojnë në kushte të rënda mes shiut dhe të ftohtit dimëror, mbetën të vrarë të paktën 11 persona, përfshirë tre fëmijë dhe disa gra.
Sulmet izraelite prekën gjithashtu pjesën qendrore dhe veriore të Gazës, ku humbën jetën 43 palestinezë. Në Gazën qendrore viktimat përfshinin anëtarë të komisioneve lokale që ndihmonin në sigurimin e autokolonave të ndihmave. Kufomat u transportuan në spitalin Martirët e Al-Aksës, ku mjekët konfirmuan numrin e viktimave. Një gazetar i agjencisë Associated Press, që ndodhej në spital, konfirmoi raportimet mbi ngjarjen.
Sipas ministrisë së shëndetësisë në Rripin e Gazës, që nga fillimi i ofensivës izraelite në tetor 2023, janë vrarë mbi 45 mijë persona, më shumë se gjysma gra dhe fëmijë. Raportet nga autoritetet palestineze nuk bëjnë dallim mes civilëve dhe militantëve të Hamasit.
Përshkallëzimi i dhunës nisi pas sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023, ku u vranë 1200 persona, kryesisht civilë, dhe 250 të tjerë u rrëmbyen. Sot, 100 pengje mbahen ende në Gaza, ndërsa një e treta e tyre besohet të kenë vdekur.
Konflikti mbetet i përshkallëzuar, duke shkaktuar një krizë të rëndë humanitare dhe pasoja tragjike për popullsinë civile.