Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, deklaroi se po punohet për marrjen e helikopterëve luftarakë në funksion të nevojave të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ai nuk dha detaje konkrete për procesin, duke shtuar se së shpejti do të ketë zhvillime të reja.

“Jemi duke gjeneruar opsione për furnizim me helikopterë dhe besoj që në ditët në vijim do të kemi një informacion më të qartë se ku është orientimi ynë për helikopterët. Qytetarët, normalisht, do të jenë të informuar për orientimin tonë dhe për qasjen tonë në raport me helikopterët. Gjithmonë synimi ynë është që, para përmbylljes së fazës së tretë të tranzicionit, para vitit 2028, të paktën të kemi një pjesë të këtyre aseteve në FSK,” u shpreh ai.

Maqedonci theksoi se shtimi i kapaciteteve mbrojtëse nga FSK-ja vjen si nevojë e rritjes së kërcënimeve nga Serbia, e cila prej vitesh ka nisur një fushatë intensive të armatosjes me armatim të marrë kryesisht nga Kina, Rusia dhe së fundmi nga Franca me avionët luftarakë “Rafale”.

By Editor