Ministria e Bujqësisë njoftoi se aktualisht ka 4 vatra të identifikuara me gripin e shpendëve. Sipas njoftimit, vatrat janë identifikuar në Zall-Herr, Nartë dhe Paskuqan dhe situata po mbahet nën kontroll.

“Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në kuadër të transparencës dhe komunikimit me publikun, informon qytetarët se situata për gripin e shpendëve, Influencën Aviare, në vend është nën kontroll dhe monitorim të vazhdueshëm, nëpërmjet strukturave në qendër dhe atyre rajonale.

Sëmundja e Influencës Aviare, e konfirmuar edhe në vendin tonë, është një sëmundje e rëndësishme dhe me përhapje mbarëbotërore. Sipas komunikimeve të vazhdueshme në faqen zyrtare të Organizatës Botërore të Shëndetit të Kafshëve, sëmundja aktualisht është e pranishme në mjaft shtete të tjera, të cilët zbatojnë programe kontrolli dhe mbikëqyrjeje të njëjta me vendin tonë.

Ky infeksion mund të parandalohet vetëm nëpërmjet zbatimit të masave të biosigurisë me qëllim uljen e nivelit të ekspozimit ndaj virusit, i cili përhapet me rrugë ajrore dhe ato të kontaktit me shpendët portatorë, të egër dhe migratorë për në fermat dhe oborret familjare, të cilët mbarështojnë shpendë.

Që prej konfirmimit të rastit të parë, është në fuqi dhe mblidhet në rend ditor Qendra Kombëtare e Krizës për sëmundjen e Influencës Aviare, me përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Brendshme, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Instituti i Shëndetit Publik për koordinimin e veprimeve dhe marrjen e informacionit mbi masat e marra nga Qendra Rajonale të Krizës, e cila ka identifikuar Njësitë Administrative të zonave të mbrojtjes (3 km) dhe mbikëqyrjes (10 km) për tre vatrat në Zall-Herr, Nartë, Paskuqan dhe asaj të konfirmuar ditën e sotme, 09.01.2025, në Lagunën e Karavastasë.

Prej rastit të parë të konfirmuar, Shërbimi Veterinar Rajonal ka marrë të gjitha masat e duhura për monitorimin e situatës shëndetësore të shpendëve të butë, për izolimin e infeksionit me qëllim parandalimin e përhapjes, duke vijuar komunikimin me Agjencinë e Zonave të Mbrojtura për monitorime dy-palëshe të faunës së egër në zonat lagunore e ujore të mbrojtura.

Është bashkëpunuar me Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor për monitorimin dhe testimin e personave të kontaktit, teste të cilat deri më tani kanë rezultuar negative, me Njësitë e vetëqeverisjes vendore në Bashkitë e prekura, si dhe me Policinë e Shtetit për zbatimin e Urdhrave të Ministrit të Bujqësisë në fuqi për marrjen e masave parandaluese të përhapjes së virusit të Influencës Aviare, nëpërmjet ndalimit të lëvizjes së shpendëve të gjallë jashtë fermave, të ndodhura në Njësitë Administrative të zonave të mbrojtjes dhe mbikëqyrjes.

Duke qenë se dy prej rasteve në vatrat aktuale pozitive janë të pranishëm në specie të shpendëve të egër, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural fton fermerët dhe qytetarët të rrisin vigjilencën dhe të bashkëpunojnë me qëllim jo vetëm raportimin në kohë të çdo dyshimi nëpërmjet komunikimit të shpejtë në numrin e gjelbër 08003366, por edhe zbatimin rigoroz të masave të biosigurisë dhe kufizimit të ekspozimit të shpendëve në mjedise të hapura, për të ulur nivelin e riskut të kontaktit me shpendët e egër dhe migratorë”, ka njoftuar Ministria e Bujqësisë.

Së fundmi, Organizata Botërore e Shëndetit të Kafshëve njoftoi se virusi është përhapur në disa vende të ndryshme dhe se këto të fundit po ndjekin protokolle të mirëpërcaktuara për mbajtjen e virusit nën kontroll.

By Editor