Sfida e Barcelonës në këtë sezon duket të jetë vazhdimësia. Pasi i dha leksion futbolli Realit të Madridit në Superkupën e Spanjës, Barça zhgënjeu sërish në kampionat duke barazuar 1-1 në transfertën me Getafen në fundjavë.
Tashmë Reali i Madridit kryeson në kampionat, ndërsa Hansi Flik duket se ka përcaktuar si objektivin e madh sezonal fitimin e Ligës së Kampionëve.
Duke folur para përballjes që luhet sonte në mbrëmje ndaj Benfikës, Hansi Flik u shpreh se skuadra e tij ka potencial për të marrë trofeun më të lakmuar në Evropë, ndërsa si rivalin për t’u mundur sheh Liverpulin.
“E ardhmja do të tregojë nëse jemi favoritë apo jo. Liga e Kampionëve është një prej kompeticioneve më të vështira për t’u fituar, por duhet ta provojmë.
Kur shoh Liverpulin, shikoj një skuadër me fuqi të jashtëzakonshme. Janë një nga skuadrat e mia të preferuara në botë për momentin. Ka dhe ekipe të tjera të mira, por ne do të japim gjithçka për të marrë trofeun e Ligës së Kampionëve” – tha Flik.