Ministri i Kulturë së Kosovës, Hajrullah Çeku deklaroi se ka marrë kërcënime me jetë pasi denoncoi skandalin e kombëtares serbe të futbollit e cila u pa të mbante në flamurin e saj një hartë që përfshinte dhe Kosovën, gjatë përgatitjeve për sfidën ndaj Brazilit. Në flamurin serb dallohej mbishkrimi “ne nuk do të dorëzohemi”. Çeku tha se kërcënimet ndaj tij erdhën pasi Kosova u ankua zyrtatisht në FIFA për këtë rast duke kërkuar marrjen e masave disiplinore për Serbinë e cila nxit urrejtjen përmes shfaqjesh të tilla shoviniste. “Përgjatë dy ditëve të fundit kam marr qindra mesazhe fyese dhe kërcënuese nga Serbia, nga momenti që e kemi sensibilizuar opinionin botëror për veprimin shovinist të ekipit të tyre të futbollit. Kërcënimet me vrasje janë tregues të shovinizmit serb.”- u shpreh ministri Çeku.
Nismën e ministrit Çeku për denoncimin e këtij veprimi nga kombëtarja serbe e ka përkrahur dhe Federata e Futbollit të Kosovës e cila ishte nismëtarja e parë e denoncimit në FIFA të këtij skandali përmes një ankese zyrtare. Flamuri serb me hartën e Serbisë që përfshinte dhe Kosovën si pjesë të saj u bë viral duke ngjallur reagime të shumta, ndërkohë që askush nga pala serbe deri sot nuk ka pranuar të flasë lidhur me ngjarjen.