Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar sërish nga burgu përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ku ironizon akuzat e ngritura ndaj tij dhe kritikon mënyrën e hetimit. Ai e ka krahasuar procesin ndaj tij me praktikat e regjimit komunist, duke e cilësuar si një ndjekje me “syrin te vrima e çelësit”.

Veliaj akuzon prokurorin Ols Dado për konflikt interesi dhe kritikon provat e paraqitura kundër tij, duke u ndalur te përdorimi i sinjaleve telefonike si argument për pronësinë e një shtëpie në zonën e Golemit. Sipas tij, prania e tij në ato zona ishte për shkak të angazhimeve politike gjatë fushatave zgjedhore të Partisë Socialiste në vitet 2023 dhe 2024.

“Po telefoni im ka lëshuar sinjal edhe te Kisha Katolike në rrugën e Kavajës, kur kam vajtur për të inspektuar punimet me Patër Zefin. Por, meqë kisha ndodhet përballë pallatit të prokurorit tim ndërtues, ndoshta edhe kjo llogaritet si provë kundër meje,” shkruan Veliaj me ironi.

Në mesazhin e tij, Veliaj flet për “absurditetin” e akuzave, duke theksuar se sinjalet e telefonit të tij janë interpretuar si dëshmi për pronësi të një shtëpie, ndërkohë që ai thotë se ndodhej në ato zona për aktivitete politike.

“Gjatë vitit 2023, kam drejtuar fushatën zgjedhore të Partisë Socialiste në Rrogozhinë dhe Kavajë, ndërsa në vitin 2024 kam udhëhequr fushatën e anëtarësimeve të reja në PS. Ky është shkaku i lëvizjeve të mia në ato zona, jo ndonjë shtëpi e fshehtë që përpiqen të më atribuojnë,” shkruan ai.

Veliaj e mbyll mesazhin me një përshëndetje për stafin e Bashkisë së Tiranës dhe me një ton sfidues ndaj hetimeve ndaj tij, duke i cilësuar si të pabazuara dhe të motivuara politikisht.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *