Kryeministri i Kosovës tha në mbledhjen e qeverisë se po finalizohet procesi për njohjen e patentave me Kanadanë dhe Turqinë.

Albin Kurti theksoi se ky proces po ecën me ritme të mira pas njohjeve të patentave në shtete si Gjermania, Italia dhe, së fundmi, Austria.

“Pas Gjermanisë, Italisë dhe Austrisë, në proces të finalizimit të njohjes së ndërsjellë të patentave të shoferëve jemi edhe me Kanadanë dhe Turqinë.

Një prej lehtësimeve më të mëdha është njohja e patentave të shoferëve nga vendet ku ata jetojnë dhe punojnë. Kjo, përveçse ul shpenzimet dhe kursen kohën, mundëson integrimin më të shpejtë në tregun e punës,” tha ai, duke kujtuar se nga prilli i vitit 2023 ka hyrë në fuqi marrëveshja me Gjermaninë për këtë çështje.

Prej atëherë, ai tha se “rreth 30 mijë bashkatdhetarë kanë konvertuar patentat e shoferëve.”

“Që nga muaji i kaluar ka hyrë në fuqi marrëveshja me Italinë për njohjen e patentave të shoferëve, ndërsa nga muaji i ardhshëm, siç ka njoftuar ambasada jonë në Austri, hyn në fuqi ndryshimi i rregullores zbatuese të ligjit të patentës së shoferëve në Austri, gjë që lehtëson procedurën e konvertimit të saj për shtetasit e Kosovës,” tha Kurti.

By Editor