Gazetari dhe analisti Enver Robelli me anl tl një shkrimi në rrjetin social Fejbuk u shpreh se humbja e Aleanca nga Sahra Wagenknecht (BSW), në zgjedhjet e fundit në Gjermani është një lajm i mirë për çdo njeri të arsyeshëm, duke pasur parasysh qëndrimet e saj të diskutueshme mbi çështje të rëndësishme politike dhe historike. Sipas Robellit Wagenknecht nuk e fsheh dot simpatinë për regjimet autoritare dhe qëndrimet e saj kundër Perëndimit, NATO-s dhe pavarësisë së Kosovës. Ai gjithashtu nënvizon paradoksin e deklaratave të saj, pasi ajo kishte premtuar të largohej nga politika në rast dështimi, por tani po kërkon rrugë për të vazhduar aktivitetin e saj politik.

Më poshtë, shkrimi i plotë i Enver Robellit:

Në paraqitjet e saj publike Sahra Wagenknecht i mban flokët ngjashëm si ikona e të majtëve, Rosa Luxemburg, e cila para më shumë se 100 vitesh ishte përfaqësuese e lëvizjes së punëtorëve, e marksizmit, e antimilitarizmit dhe internacionalizimit proletar. Wagenknecht nuk ka ngurruar të shprehë simpati për Stalinin, andaj për disa publicistë gjermanë ajo është – staliniste! Edhe për regjimin diktatorial komunist të Gjermanisë Lindore, Wagenknecht ka gjetur fjalë kryesisht dashamirëse. Për luftën në Ukrainë më shumë e ka fajësuar Perëndimin se sa Putinin. Në debatet televizive në Gjermani Wagenknecht ka qenë shpesh e pranishme. Para një viti ajo themeloi Aleancën Sahra Wagenknecht (BSW), pasi më parë ishte larguar nga partia e majtë DIE LINKE.

Të dielën BSW e Wagenknecht nuk i fitoi votat për të hyrë në parlament pasi që nuk kaloi pragun prej 5 për qind. BSW-së i mungojnë 13’400 vota. Wagenknecht ka paralajmëruar betejë ligjore. Gjasat janë minimale që Wagenknecht të zë vend në parlament me disa deputetë të saj si Zhaklin Nastiq, e cila nga partia DIE LINKE pati kaluar te BSW e Wagenknecht. Nastiq, e lindur në Poloni, e kishte punësuar një nacionalist serb në zyrën e saj. Ajo e quan Kosovën shtet artificial të krijuar nga bombat e NATO-s. Edhe Wagenknecht shpesh ka shprehur mllefin e saj ndaj shtetësisë së Kosovës dhe sidomos ndërhyrjes së NATO-s më 1999.

Wagenknecht është e martuar me Oskar Lafontaine, i cili më 1998 u bë ministër i Financave në qeverinë e kancelarit socialdemokrat Gerhard Schröder. Në mars 1999, pak ditë para ndërhyrjes së NATO-s kundër regjimit kriminal të Beogradit, Lafontaine dha dorëheqje – gjoja për shkak të mospajtimeve me kancelarin Schröder mbi politikat ekonomike dhe financiare. Më vonë Lafontaine mori pjesë në demonstrata kundër intevenimit të NATO-s. Dështimi i Sahra Wagenknecht për të hyrë në parlament është, padyshim, lajm i keq për të. Dhe lajm i mirë për çdo njeri të arsyeshëm në Gjermani. Dhe më gjerë. Para zgjedhjeve Wagenkecht tha se do të largohej nga politika nëse partia e saj nuk hyn në parlament. Pas zgjedhjeve duket se kishte harruar çfarë ka thënë. “Do të këshillohemi se si do të pozicionohemi për të ardhmen”, tha ajo.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *