Friedrich Merz dhe aleanca konservatore CDU/CSU kanë dalë fitues të zgjedhjeve në Gjermani, por me një rezultat më të ulët se pritjet. Sipas prognozave të mediave gjermane, konservatorët kanë siguruar mes 28 dhe 29 për qind të votave. Për të krijuar një qeveri, Merzit i duhen aleatë nga partitë më të vogla.

Një opsion do të ishte Alternativa për Gjermaninë (AfD), partia e ekstremit të djathtë, e cila ka dyfishuar mbështetjen dhe tani ka rreth 20 për qind të votave. Megjithatë, Merz ka përjashtuar çdo bashkëpunim me këtë parti, e cila mbështet politikën e Putinit, kërkon largimin e Gjermanisë nga BE dhe NATO dhe ka përfituar ndjeshëm nga retorika kundër emigrantëve.

Kështu, alternativa kryesore mbetet një koalicion me socialdemokratët e Olaf Scholzit, të cilët kanë pësuar një disfatë historike, duke marrë vetëm 16 për qind të votave. Nëse ky koalicion nuk siguron shumicën, të Gjelbrit mund të jenë partneri i tretë.

Merz është një politikan impulsiv, i cili për vite u mbajt larg pushtetit nga Angela Merkel. Pas tërheqjes nga politika në 2009, ai u bë kryetar i këshillit mbikëqyrës të BlackRock në Gjermani. Rikthimi i tij u bë i mundur kryesisht për shkak të krizave dhe grindjeve në qeverinë e deritanishme, të përbërë nga socialdemokratët, të Gjelbrit dhe liberalët.

Gjatë fushatës, Merz përdori një retorikë të ashpër ndaj të majtëve dhe emigrantëve, duke tentuar të tërheqë votuesit e AfD-së. Kjo strategji rezultoi e gabuar, pasi partia e majtë Die Linke, e cila pritej të mos kalonte pragun zgjedhor, arriti gati 9 për qind të votave.

Tani Merz përballet me sfidën e madhe të krijimit të qeverisë. Për ta arritur këtë, ai duhet të negociojë dhe të bëjë kompromise me partitë që deri dje i ka kritikuar ashpër.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *