Mungesa e banesave me qira dhe rritja e çmimeve të strehimit në Gjermani po shndërrohen në një problem madhor për qytetarët dhe për qeverinë e ardhshme. Pavarësisht premtimeve për të rritur ndërtimet, realiteti tregon se oferta e banesave është e pamjaftueshme, ndërsa qiratë janë rritur ndjeshëm, veçanërisht në qytetet e mëdha si Berlini, Frankfurti dhe Mynihu.
Shumë familje po hasin vështirësi të mëdha në gjetjen e një apartamenti të përballueshëm, edhe pse kanë të ardhura të mira dhe punë të qëndrueshme. Njerëz nga profesione thelbësore si policët dhe infermierët shpesh anashkalohen nga tregu i qirave, ndërsa një pjesë e madhe e qytetarëve shpenzojnë mbi 40% të të ardhurave të tyre mujore vetëm për strehim.

Ndërtimtaria është në krizë për shkak të pasigurisë ekonomike, mungesës së fuqisë punëtore dhe kostove të larta. Plani për të ndërtuar 400.000 apartamente në vit nuk është realizuar plotësisht, duke përkeqësuar situatën. Një numër gjithnjë e më i vogël i familjeve mund të përballojnë blerjen e një shtëpie, gjë që rrit më tej presionin mbi tregun e qirave.
Një nga problemet më të mëdha mbetet mungesa e banesave sociale. Nga katër milionë të tilla që ishin në vitin 1987, sot ka mbetur vetëm 1.1 milion, çka ka ndikuar në rritjen e çmimeve. Kritikët theksojnë se qiratë e larta po e bëjnë të pamundur jetesën për shumë qytetarë me të ardhura të ulëta.
Në disa qytete po ndërmerren masa për të përmirësuar situatën, si në Reutlingen, ku janë ndërtuar banesa me qira të subvencionuara. Megjithatë, për të sjellë ndryshime të ndjeshme, nevojiten politika të reja, si taksimi i super të pasurve dhe investime më të mëdha në ndërtim. Kriza e strehimit është një sfidë e madhe që kërkon veprime të shpejta dhe strategji afatgjata nga qeveria e ardhshme.