Kryeministrja e Italisë, Xhorxhia Meloni, u shpreh kundër propozimit franko-britanik për dërgimin e trupave ushtarake në Ukrainë si garanci e sovranitetit të këtij shteti, në kushtet kur SHBA-të po tërheqin ndihmat ushtarake për Kievin.
Meloni e cilëson këtë veprim si jo të përshtatshëm dhe shprehet se vendi i saj nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë.

“Italia ka shprehur dyshime për propozimin e Francës dhe Britanisë për të dërguar ushtarë evropianë. Për mendimin tim, kjo është një gjë shumë e vështirë për t’u arritur. Nuk jam e sigurt për efektivitetin e saj, prandaj ne thamë që nuk do të dërgojmë ushtarë italianë në Ukrainë,” – tha Meloni.
Donald Trump, nga ana e tij, nuk e kundërshtoi një ide të tillë të paraqitur nga Emanuel Makron gjatë vizitës në Shtëpinë e Bardhë, por u shpreh se SHBA-të nuk do të jenë pjesë e misioneve paqeruajtëse në Ukrainë.