Roko Vata vendosi të pranojë ftesën e ekipit të parë të Irlandës pasi kishte luajtur edhe me grupmoshat e këtij vendi.

I ati i lojtarit dhe ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Rudi Vata, u shpreh se Roko zgjodhi kombëtaren që e vlerësoi. Sipas tij, ftesa e Shqipërisë për të luajtur me U-21, ndërkohë që Irlanda e ftonte në ekipin e parë, tregoi qartë mungesën e respektit ndaj të birit.

“Ky vendim erdhi pasi ata që paguhen për të parë lojtarët me vlera dhe që mund të japin shumë për Shqipërinë nuk kanë treguar interes për Roko Vatën dhe as nuk e kanë kontaktuar më herët, kur ai mund të luante për çdo grupmoshë të Shqipërisë. U kujtuan tani për t’i dërguar ftesë me U-21, kur Irlanda A e kishte ftuar. E bënë sa për të larë gojën. Roko Vata nuk do ta gjejë kurrë te Irlanda dashurinë që do të gjente te tifozët shqiptarë, të cilët nuk lënë stadium pa shkuar për të mbështetur lojtarët tanë, si edhe në klubet ku luajnë. Duhet të mos tregohemi naivë. Ftesa nga U-21 nuk ishte serioze, ishte thjesht një email i dërguar,” – tha Rudi Vata.

By Editor