Nga Sebastian Zonja
“Die ganze Welt schaut in diesen Tagen auf Deutschland”
“Bild”-i gjerman shkruan se u arrit marrëveshja historike për heqjen e tavanit të borxhit. Konservatorët, socialdemokratët dhe të gjelbrit arritën marrëveshje trepalëshe për të kaluar të martën e javës së ardhshme, me dy të tretat e parlamentit, ligjin që anulon amendamentin që kufizonte gjermanët për të shpenzuar për ushtrinë e tyre mbi një kuotë të caktuar.
Nga java tjetër, gjermanët nuk kanë më kufizime se sa do shpenzojnë për mbrojtje. Detajet nuk janë bërë të ditura, por është e qartë se ose do të fshihet, ose do të ristrukturohet “frena e borxhit”, e cila e pengonte Gjermaninë të merrte hua mbi një përqindje të caktuar, konkretisht 0.35 % të GDP-së. Këtë të premte u mor një nga vendimet më të rëndësishme të dekadave të fundit në kontinentin tonë evropian.

Ekonomia më e madhe në Evropë me Produkt të Brendshëm Bruto 3 herë më të madh se Rusia thotë se ka bërë kthesë historike për të siguruar paqen në kontinent. Sa për informacion – Rusia është në atë që quhet ekonomi lufte dhe shpenzon diku te 100 miliardë euro për ushtrinë. Vetëm dora e parë që do fusin gjermanët në lojë për ushtrinë është mbi 100 miliardë euro, pa qenë fare në ekonomi lufte. Shto këtu edhe vendet e tjera dhe e imagjinoni vetë se çfarë po ndodh.
Nuk di si ta cilësoj këtë lajm: të frikshëm apo sihariq për Evropën?!!! Një gjë e dimë me siguri, tani që po mbledhin rripat gjermanët, nga rajonet e para që do e ndjejë është Ballkani.