Ish-deputeti i Partisë Demokratike shkroi në rrjetet sociale se opozita nuk ka një listë fituese për zgjedhjet e ardhshme dhe se, në këto kushte, Edi Rama po shndërrohet në mbret.
Dash Sula shtoi se u largua në kohë nga “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt, pasi, sipas Sulës, ndaj tij pati një skenar për ta futur në kurth.
Postimi i plotë
“Gjatë këtyre 72 orëve jam gjendur mes një xhungle politike, mes miqsh dhe armiqsh, mes atyre që duan partinë dhe atyre që duan Shqipërinë. Parlamentin e kam dashur dhe e dua, sepse aty është agora ku jam përpjekur të sjell hallet e njerëzve, të atyre me të cilët jam rritur e po kaloj jetën. Shpesh, për këtë, jam parë si njeriu i gabuar, e aq më shumë kur, mes simbolikash, jam përpjekur që zërin e tyre ta kem në sallën e luksit.
Nuk e prita që partia, në të cilën kam besuar, do ta shpërblente kontributin tim me një pabesi, ngjashëm me ato që të gjithë i kemi parë në 34 vite.
Pasi Partia Demokratike, ku unë s’jam për kryetarët, por për opozitarët, nuk më dha vendin që i takon zonës time, më kontaktuan nga formacioni politik i z. Lapaj. U shpreha i gatshëm për t’u futur në një garë me ta, duke vlerësuar faktin se janë të rinj. Mirëpo, fatkeqësisht, edhe z. Lapaj paska mësuar hilet para rregullave dhe, pa hyrë mirë në politikë, më shpejt gënjeka sesa mendoka.
Pasi më bënë pjesë të listës, më thanë: “Jo, nuk mund të japim garanci që njerëzit që kemi vendosur në listë të mbyllur do të dorëhiqen nëse ti fiton mandatin.” Pra, mua që do të merrja më shumë vota s’do të më hapej rruga, siç predikon Lapaj, kur vendos babanë në listë dhe thotë se e ka vënë për ta tërhequr.

Por unë nga padrejtësia ika dhe s’mund të pranoj një padrejtësi tjetër. Tani dua t’ua them dy fjalë mbështetësve, atyre që më kanë mbështetur dhe më mbështesin:
1. Kjo “Shqipëria Bëhet” qenkërka një kurth i dr. Berishës për të mbledhur vota të djathta që vetë z. Berisha nuk arrin t’i mbledhë dhe duket se paska gjetur një talent të ri të mashtrimit, si ato sektet që premtonin takime me Zotin.
2. Edi Rama, ashtu qesh e ngjesh, e ka thënë tamam atë që demokratët, po nuk thanë kënetën e Berishës, s’do të vijnë kurrë në pushtet.
Po! Berisha është hajmalia e fatit të Edi Ramës. Plani i Berishës për t’i ndarë votat e djathta mes tij dhe Lapajt i jep Ramës jo mandatin e katërt, por e bën mbret.
Në 20 vite në politikë, me ndërprerje në Parlament, unë kam qenë, jam dhe do të mbetem demokrat. Por, për fat të keq, emrin tim nuk do ta gjeni në asnjë listë. Nuk do ta gjeni në listën e PD-së, pasi ai që nuk duron dot lirinë time dhe parimet e mia më la jashtë, pavarësisht se në katër vite kam qenë ndër deputetët më aktivë, pavarësisht se dola më i votuari në Elbasan në primare dhe pavarësisht se isha i pari që hapa siparin e takimeve madhështore në diasporë.
Nuk do ta keni as në listën e atyre që ka nxjerrë dr. Berisha (Lapajt), sepse edhe ai po ecën në hapat e mentorit të tij.
Berisha më 11 maj nuk do që të fitojë zgjedhjet; ai do të krijojë vetëm një grup parlamentar me besnikët e tij, të cilët do të vijojnë t’i bëjnë fresk edhe më 12 maj. Berisha shkeli me të dyja këmbët statutin e PD-së dhe premtimet e veta, dhe u pa qartë se ai as nuk e ka në mend të mundë Edi Ramën në zgjedhje. Me kë do ta mundë? Me Jenisherin, Kostaq Papën apo me Kujtim Gjuzin?! Apo mos do ta mundë duke çarë votat e djathta mes tij dhe Lapajt?
Demokratë të ndershëm që keni 12 vite që vuani, “armiku” politik nuk mund të luftohet kur brenda kalasë kemi “Kalin e Trojës”. Për të luftuar kundërshtarin, duhet të forcohemi brenda vetes.
Si bëhet kjo? Rezultati i 11 majit do të na tregojë.
Më 11 maj ne duhet të refuzojmë të përdoremi si mish për top për interesat e një personi që, për të ruajtur pozitat e veta, votat e të djathtëve i ndan mes vetes dhe nismave të reja me filozofi 34-vjeçare të Lapajt.”