Kosova, Shqipëria dhe Kroacia kanë nënshkruar Deklaratën trilaterale për aleancë ushtarake, një marrëveshje që synon forcimin e bashkëpunimit ushtarak dhe strategjik mes tre vendeve. Nënshkrimi i këtij memorandumi u zhvillua në Shqipëri, ku ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pirro Vengu, priti me nderime të larta homologët e tij nga Kosova, Ejup Maqedonci, dhe Kroacia, Ivan Anushiq.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, deklaroi se kjo aleancë nuk është kërcënim për askënd, por një mesazh i qartë për ata që synojnë të destabilizojnë rajonin.
“Synimi i këtij bashkëpunimi nuk është kërcënim për askënd, por një mesazh për ata që synojnë të kërcënojnë rajonin. Ne u tregojmë se jemi së bashku dhe nuk do të lejojmë që askush ta destabilizojë Ballkanin. Falënderoj ministrat e Shqipërisë dhe Kroacisë për këtë nismë dhe vlerësoj se kjo është marrëveshja e parë trilaterale në rajon. Presim që në të ardhmen të bashkohen edhe vende të tjera,” tha Maqedonci.

Memorandumi i nënshkruar ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes dhe industrisë së mbrojtjes, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes edukimit, trajnimit dhe ushtrimeve të përbashkëta, si dhe forcimin e qëndrueshmërisë strategjike ndaj kërcënimeve hibride. Gjithashtu, përfshin mbështetjen për integrimin euroatlantik dhe bashkëpunimin rajonal në fushën e sigurisë.
Ministri kroat, Ivan Anushiq, theksoi se aleanca ka për qëllim rritjen e stabilitetit rajonal dhe përmirësimin e bashkëpunimit ushtarak mes forcave të armatosura të tre vendeve. Ai shtoi se ekziston mundësia që aleanca të zgjerohet edhe me Bullgarinë në të ardhmen.
Kjo marrëveshje vjen si përgjigje ndaj sfidave gjeopolitike dhe të sigurisë në Evropën Juglindore, si dhe ndikimeve të jashtme në rajon.