Detaje të reja nga vrasja e 42-vjeçarit shqiptar mbrëmjen e së hënës në Dyseldorf të Gjermanisë konfirmojnë se viktima ishte shënjestër e një atentati. Sipas prokurorit të çështjes, po hetohen disa hipoteza të mundshme, por pista që është përjashtuar është ajo e një vrasje të rastësishme. “Ne po hetojmë të gjitha hipotezat e mundshme dhe përjashtojmë vetëm që i vrari mund të ketë qenë një viktimë e rastësishme.”- tha prokurori i lartë publik Aksel Stahl.
Gjithashtu nga burimet policore gjermane bëhet e ditur se viktima ishte një personazh i njohur për policinë pasi ishte i përfshirë në shpërndarjen e lëndëve narkotike, por siç sqarojnë këto burime, 42-vjeçari nuk klasifikohej në radhët e shpërndarësve të mëdhenj. Po ashtu bëhet me dije se viktima jetonte në Gjermani prej vitit 2018-të.