Tregjet financiare ndërkombëtare po përjetojnë lëkundje të forta, ndërsa frika për një recesion të mundshëm global është në rritje. Shkak për këtë situatë janë tarifat e reja doganore të vendosura nga Presidenti amerikan Donald Trump, të cilat po prekin një sërë vendesh partnere tregtare dhe po ngjallin pasiguri në ekonominë botërore.

Tarifat, që në disa raste shkojnë deri në 40 për qind, kanë nisur të japin efektet e para, me rënie të ndjeshme të tregjeve të aksioneve dhe një klimë shqetësimi mes investitorëve. Ekspertët paralajmërojnë se pasojat mund të jenë të gjera dhe afatgjata, veçanërisht nëse tensionet tregtare përshkallëzohen më tej.

Bankat ndërkombëtare paralajmërojnë recesion

Banka amerikane JP Morgan njoftoi javën e kaluar se probabiliteti për një recesion global deri në fund të vitit është rritur në 60 për qind – një rritje e ndjeshme krahasuar me vlerësimet para hyrjes në fuqi të tarifave të reja. Në të njëjtën linjë, Deutsche Bank ka theksuar se nëse këto masa vazhdojnë, ndikimi në ekonominë botërore do të ndihet jo vetëm në vitin 2025, por edhe në dekadat që vijnë.

Sipas analistëve, tarifat po sjellin pasoja të menjëhershme: kosto më të larta për prodhuesit, inflacion të rritur, frenim të investimeve dhe ndërprerje të zinxhirëve të furnizimit – të gjitha këto elementë që rrezikojnë të çojnë drejt një ngadalësimi të përgjithshëm ekonomik.

Kina kundërpërgjigjet – Azia nën trysni

Kina ka qenë në qendër të goditjes nga tarifat amerikane dhe ka reaguar menjëherë. Autoritetet kineze kanë vendosur tarifa hakmarrëse prej 34 për qind për një gamë të gjerë mallrash amerikane, si dhe kufizime në eksportin e mineraleve të rralla – thelbësore për industrinë e teknologjisë së lartë dhe energjinë e pastër. Masat do të hyjnë në fuqi më 10 prill.

Ndërkohë, vende të tjera aziatike si Vietnami, Tajvani dhe Indonezia po përballen me tarifa të larta dhe presion për të rinegociuar marrëveshjet tregtare me Uashingtonin, për të shmangur dëme të mëtejshme ekonomike.

Evropa përgatit kundërpërgjigje

As Bashkimi Evropian nuk ka mbetur jashtë këtij tensioni tregtar. Presidenti Trump ka paralajmëruar vendosjen e tarifave prej 20 për qind për importet nga BE, që pritet të hyjnë në fuqi nga 9 prilli. Ministrat e Financave të vendeve anëtare janë mbledhur në Luksemburg për të koordinuar një përgjigje të përbashkët.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se BE është e gatshme të mbrojë interesat e saj me kundërmasa proporcionale, por shtoi se Brukseli mbetet i hapur për dialog me Uashingtonin.

Rreziku i një spiraleje globale

Ndërsa lufta tregtare përshkallëzohet, ekspertët paralajmërojnë për mundësinë e një spiraleje me pasoja të thella për rritjen ekonomike globale. Me tregjet në rënie të vazhdueshme dhe besimin e investitorëve në pikën më të ulët, një gjë është e qartë: e ardhmja ekonomike është më e pasigurt se kurrë më parë.

By Editor