Ministri i Mbrojtjes së Kosovës theksoi se Bullgaria ka shprehur gatishmërinë të jetë pjesë e marrëveshjes së përbashkët për mbrojtje mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, e nënshkruar muajin e kaluar në Tiranë.

Ejup Maqedonci shtoi se Bullgaria mund të mos jetë shteti i fundit që i bashkohet kësaj marrëveshjeje ushtarake.

“Kemi marrë një konfirmim nga Bullgaria, e cila ka zhvilluar më herët diskutime me ministrin kroat për mundësinë e bashkimit në këtë marrëveshje trilaterale. Besoj plotësisht se edhe vende të tjera të rajonit, veçanërisht ato që ndajnë vlera dhe interesa të përbashkëta me ne, do t’i bashkohen kësaj nisme. Sepse nuk mjaftojnë vetëm vlerat, duhen edhe interesa të përbashkëta. Dua të theksoj edhe një herë se qëllimi kryesor i kësaj marrëveshjeje është ruajtja e paqes, stabilitetit dhe sigurisë,” – tha Maqedonci për TRT Balkan.

By Editor