Kreu i Partisë Demokratike tha pas daljes nga Prokuroria e Posaçme se drejtuesi i saj, Altin Dumani, nuk ka kurajë të hetojë një sërë aferash, mes tyre atë Rama-McGonigal.

Sali Berisha u shpreh se ish-zyrtari i lartë i FBI-së i shkruan nga qelia kryeministrit të Shqipërisë, duke i kujtuar se ai mori paratë e dërguara nga ky i fundit.

“Dumanit të Ramës i lashë një shënim. Mbyllja e aferës McGonigal nga Altin Dumani përbën një krim ndërkombëtar. Krim ndërkombëtar! Dhe e garantoj Edi Ramën se asgjë në botë nuk do ta shpëtojë nga kjo aferë e tmerrshme, me të cilën ai korruptoi njeriun kryesor, që sipas gjykatësit amerikan kishte detyrë të mbronte qytetarët amerikanë nga korrupsioni, por u korruptua vetë duke marrë paratë e Edi Ramës. Dhe për dijeni të shqiptarëve, tani McGonigal, çdo ditë në qeli, i çon nga qelia mesazhe Edi Ramës. ‘Unë vërtet i mora paratë,’ thotë ai, ‘por ato m’i dhe ti, me të cilat më komprometove.’ Kështu që pritet vota e shqiptarëve më 11 maj, që Edi Rama të shkojë te McGonigal ndoshta javën e parë,” – tha Berisha.

By Editor