Ndarja nga jeta e Papa Françeskut do të rihapë sërish garën për zgjedhjen e kreut të Selisë së Shenjtë në Vatikan. Ky proces ka treguar në vijimësi se nuk mund të ketë parashikime të sakta për pasuesin e një pape, pasi votat e kardinalëve nuk mund të parashikohen, duke marrë parasysh edhe metodologjinë e përzgjedhjes, e cila mbahet krejtësisht larg vëmendjes së publikut.

Por, para çdo gare papnore, ekziston një listë favoritësh. Emrat më të përfolur si pasues të papës së ndjerë argjentinas janë:

Pietro Parolin, 70-vjeçar nga Italia:

Parolini ishte i afërt me Françeskun. Ka qenë sekretar shteti i Vatikanit që nga viti 2013 dhe ka luajtur rol kyç në çështjet diplomatike. Edhe në diplomaci shihet si person i qëndrueshëm.

Luis Antonio Tagle, 67-vjeçar nga Filipinet:

Tagle do të mund të bëhej papa i parë aziatik. Ai ka qenë një zë i rëndësishëm në debatin për qëndrimet e Kishës Katolike ndaj homoseksualëve dhe çifteve të shkurorëzuara, duke i cilësuar ato si të ashpra, por ka kundërshtuar të drejtat për abort në Filipine.

Peter Turkson, 76-vjeçar nga Gana:

Turkson do të mund të bëhej papa i parë me ngjyrë në shekuj. Ai ka qenë i zëshëm në luftën kundër krizës klimatike dhe pabarazisë ekonomike.

Peter Erdo, 72-vjeçar nga Hungaria:

Erdo ka qenë avokat i fuqishëm i doktrinës katolike dhe do të konsiderohej një ndryshim i madh në krahasim me qasjen që ka pasur deri tani Françesku.

Matteo Zuppi, 69-vjeçar nga Italia:

I emëruar kardinal nga Françesku më 2019, Zuppi konsiderohet si një vazhdimësi e politikave të papës së ndjerë. Ai ka qenë edhe emisar i papës për çështjen e Ukrainës.

Jose Tolentino Calaça de Mendonça, 59-vjeçar nga Portugalia:

Ky është një prej kandidatëve potencialë më të rinj në moshë. Pikërisht mosha mund të jetë pengesë për të marrë këtë detyrë. Ai ka marrë mbështetje për shkak të qasjes më toleruese ndaj marrëdhënieve të gjinisë së njëjtë.

Mario Grech, 68-vjeçar nga Malta:

Grech konsiderohet më tradicional, por nisi të mbështeste pikëpamjet më progresive pasi Françesku u zgjodh më 2013.

Pierbattista Pizzaballa, 60-vjeçar nga Italia:

Që nga viti 2020, Pizzaballa ka qenë patriarku latin për Jerusalemin. Pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 ndaj Izraelit, ai u vetëofrua si peng për të lehtësuar lirimin e fëmijëve që mbaheshin nga Hamasi.

Robert Sarah, 79-vjeçar nga Guinea:

Sarah është një kardinal tradicional, i cili është konsideruar si sfidues i pushtetit të Françeskut. Ai e ka cilësuar “ideologjinë gjinore” si kërcënim për shoqërinë.

By Editor