Ministri në detyrë i Financave u shpreh se Lëvizja Vetëvendosje do të ripropozojë Albulena Haxhiun si kandidate për kryetare të Kuvendit të Kosovës.
Hekuran Murati u tha gazetarëve se partia që mori 42% të votave në zgjedhje nuk mund të diktohet në propozimin e saj nga parti që qëndrojnë shumë mbrapa me votë të sovranit.
“Propozimi ynë është Albulena Haxhiu”, ka thënë ai para mediave në hyrje të Kuvendit të Kosovës.
“I lus të gjitha partitë që, me votën e tyre, të marrin pjesë dhe të votojnë për konstituimin e Kuvendit. Ne në vazhdimësi kemi bërë thirrje për konstituimin e Kuvendit, sepse konstituimi u takon të gjitha partive, nuk është vetëm i një koalicioni qeverisës,” – tha Murati.
Partitë opozitare janë shprehur kundër kandidaturës së Albulena Haxhiut në votimet e mëparshme, ndërsa AAK dhe PDK kanë dhënë sinjale se mund të ndryshojnë qëndrim nëse Vetëvendosje e ndryshon emrin e kandidatit.
Nga zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës raportohet se kandidatura e Albulena Haxhiut është rrëzuar sërish, duke vijuar ngërçin institucional.