Banorët e fshatit Kaçinar të Mirditës u mblodhën në një protestë para Ministrisë së Infrastrukturës, duke kundërshtuar për të disatën herë ndërtimin e një HEC-i.
Banorët shprehen se nuk janë pyetur dhe as dëgjuar për projektin në fjalë, ndërsa shtojnë se po detyrohen të largohen nga fshati, pasi drejtuesit e pushtetit vendor dhe ndërtuesi i HEC-it shpërfillin çdo kërkesë të tyre.
“Nuk jemi dëgjuar dhe nuk kemi gjetur zgjidhje. Kemi ardhur këtu të ngremë zërin për pasuritë tona, si uji dhe bjeshkët tona. Populli ka jetuar me shekuj atje falë natyrës dhe Zotit, që na dha ujë dhe toka pjellore.
Disa grupe të errëta, në bashkëpunim me pushtetarë, duan të na vjedhin pasurinë tonë më të çmuar – ujin. Pa të nuk ka jetë. Duan të na lënë si peshku në rërë, të braktisim vendbanimet tona. Po na kërcënojnë,” – u shpreh një nga banorët.